KORCE- Gjykata e Korçës ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për bankierët dhe pronarin e lojërave të fatit. Bankierët dhe Ervin Xhaçi, pronar i një pike lojërash fati në qytetin e Bilishtit, akuzohen për vjedhjen e 2.5 milionë eurove nga dega e një banke në këtë qytet.

Masa e arrestit me burg është dhënë për Lorent Ballco, Kimet Hoxha, Julian Kosho dhe Ervin Xhaçi.

Tri muaj pas arrestimit të ish-drejtorit të bankës  Policia dhe Prokuroria e Korçës arrestuan dy ditë më parë edhe 4 punonjës të tjerë të saj dhe një pronar të lojërave të fatit. 

Katër bankierët, Lorent Ballco, 26 vjeç, banues nё Korçё, me detyrё Bankier personal, Kimet Hoxha, 56 vieç, banues nё Cangonj, Devoll, me detyrё arkëtar, Fjoralba Andrea, 29 vjeçe, banuese nё Korçё, me detyrё arkëtare, Julian Kosho, 39 vjeç banues nё Korçё, me detyrё pёrgjegjёs agjensie nё bankë; përmes mashtrimit përvetësuan shumën 2.5 milionë euro.

Ndërkaq, u arrestua edhe Ervin Xhaci, 32 vjeç banues nё Bilisht, i vetёpunёsuar nё njё subjekt lojrash fati “Bast Live”.
 

Ish-drejtori akuzohet se ka vjedhur lekët nga rreth 60 klientë të tjerë të bankës, në një shumë prej 2.500.000 euro, duke i tërhequr drejtëpërsëdrejt shumat e lekëve nga llogaritë, ose duke i transferuar në kundërshtim me ligjin, në llogari të personave të tjerë (të njohurve të Topallit, Ervin Xhaçit, apo personave të tjerë të njohur të personave që merreshin me llotari sportive). Ish-drejtori Topalli akuzohet se ka bashkëpunuar me punonjësit e bankës për t’i kryer këto veprime.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)