Koreja e Veriut nis raketën balistike drejt detit! Japonia thirrje banorëve: Gjeni vendstrehime për t'u mbrojtur

Koreja e Veriut lëshoi të enjten një raketë balistike drejt detit mes Gadishullit Korean dhe Japonisë, duke bërë që Japonia të urdhërojë banorët në një ishull që të futen në vendstrehime për t’u mbrojtur.

Shtabi i përgjithshëm i Koresë së Jugut tha se raketa e Koresë së Veriut lëvizi drejt ujërave midis Gadishullit Korean dhe Japonisë, por nuk dha detaje të mëtejshme, si p.sh. sa larg shkoi dhe saktësisht se çfarë lloji rakete lëshoi Koreja e Veriut. Japonia tha se raketa ra në det, por nuk dha detaje të menjëhershme.

Më herët, lëshimi i raketës kishte shtyrë qeverinë japoneze t’i nxiste njerëzit të futeshin në vendstrehime në ishullin më verior, Hokkaido.

Nisja më e fundit në serinë e provave me raketa të Koresës së Veriut këtë vit, erdhi disa ditë pasi udhëheqësi i saj Kim Jong Un u zotua të rrisë arsenalin e tij bërthamor në mënyra më "praktike dhe ofensive".

Japonia lëshoi një urdhër të ngjashëm evakuimi në tetor të vitit të kaluar kur një raketë e Koresë së Veriut me rreze të mesme veprimi fluturoi mbi Japoni, duke demonstruar kështu potencialin për të arritur deri në territorin amerikan në Paqësor, Guamin. Në atë kohë, autoritetet japoneze paralajmëruan banorët në rajonet verilindore që të futeshin në vendstrehim dhe ndaluan trenat, megjithëse nuk u raportuan dëme përpara se raketa të binte në Paqësor.

Këtë vit, Koreja e Veriut ka nisur rreth 30 raketa në përgjigje të stërvitjeve SHBA – Koreja e Jugut, të cilat i percepton si prova për një sulm ushtarak. Koreja e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara thonë se stërvitjet janë të natyrës mbrojtëse dhe se u organizuan në përgjigje të kërcënimeve në rritje bërthamore dhe me raketa nga Koreja e Veriut.

Arsenali bërthamor i Koresë së Veriut pritet të jetë temë kryesore gjatë një takimi mes Presidentit të Koresë së Jugut Yoon Suk Yeol dhe Presidentit amerikan Joe Biden në fund të këtij muaji në Uashington. Qeveria e zotit Yoon ka kërkuar garanci më të forta nga Shtetet e Bashkuara se do të vënë në përdorim me siguri dhe me shpejtësi të gjitha aftësitë e tyre ushtarake, përfshirë ato bërthamore, për të mbrojtur Korenë e Jugut në rast të një sulmi bërthamor nga Koreja e Veriut.

Provat me raketa të Koresë së Veriut kanë shtuar gjithashtu urgjencën për Seulin dhe Tokion që të forcojnë gatishmërinë e tyre ushtarake dhe aleancën me Shtetet e Bashkuara.

Ekspertët thonë se diskutimet mes udhëheqësve botërorë në takimet e muajit të ardhshëm të Grupit të Shtatëshes në Japoni mund të jenë gjithashtu vendimtare për ruajtjen e presionit diplomatik ndaj Koresë së Veriut pasi Këshilli i Sigurimit i OKB-së është bërë jofunksional për shkak të përplasjeve mes anëtarëve të përhershëm. Pekini dhe Moska vitin e kaluar bllokuan një përpjekje të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara për të forcuar sanksionet e Këshillit të Sigurimit ndaj Koresë së Veriut për disa nga testet e saj më të mëdha me raketa, duke nxjerrë kështu më në pah një ndasi të thelluar nga lufta e Rusisë në Ukrainë./VOA

A.M./KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Partia e Mitsotakis kandidon Fredi Belerin për eurodeputet, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Tiranë/ Sekuestrohet 7.500m2 tokë në Vorë që iu shit nipit të Sadri Abazit! Arrestohet ish-kreu i komunës Bërxullë e 3 të tjerë

Tiranë/ Sekuestrohet 7.500m2 tokë në Vorë që iu shit nipit të Sadri Abazit! Arrestohet ish-kreu i komunës Bërxullë e 3 të tjerë