Korkuti, kandidat për kryetar
të Akademisë së Shkencave

Korkuti, kandidat për kryetar<br />të Akademisë së Shkencave
TIRANE - Do të ndryshohen postet për kryesinë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe për kryetarët e seksioneve të saj. Akademia e Shkencave dje ka shpallur konkursin për zgjedhjet e reja, duke publikuar në faqen e saj zyrtare emrat e kandidatëve që do të drejtojnë këtë institucion. Muzafer Korkuti, Gudar Beqiraj, Ethem Likaj janë emrat që konkurrojnë për postet drejtuese.

Që nga viti 2009, kryetar i ASHSH-në ka qenë matematikani dhe sportisti i peshëngritjes Gudar Beqiraj. Ai u zgjodh me votën e 39 akademikëve përballë dy kandidatëve të tjerë, drejtorit aktual të Institutit të Monumenteve të Kulturës Apollon Baçes dhe akademik Kolec Topallit.

Beqiraj, sipas akademikëve, fitoi shumicën e votave sepse ka qenë prej 37 vjetësh bashkëpunëtor shkencor në këtë institucion, ndërkohë që Kolec Topalli ka pasur funksione drejtuese politike dhe Apollon Baçe nuk ka punuar asnjëherë pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Megjithatë zgjedhja e Gudar Beqiraj në krye të ASHSH-së, ngaqë ishte i njohur në publik si garues në sportin e peshëngritjes, u prit me një ndjenjë të fortë skepticizmi në rrethet shkencore e akademike.

Ndodhi që edhe për 4 vjet në drejtim, akademik Gudar Beqiraj nuk u shqua për ndonjë ndikim në qeveri për ndryshimin e disa vendimeve që binin ndesh me të vërtetat studimore dhe shkencore, si në rastin kur manifestohej 100-vjetori i Pavarësisë dhe kur kryeministri Sali Berisha hodhi tezat për rishikimin e historisë; duke u dhënë përparësi dhe kontribute Ahmet Zogut, Esat Pashës e disa figurave të tjera që tradhtuan interesat e kombit.

Gjatë kësaj kohe, nënkryetari i kësaj akademie, Muzafer Korkuti ka qenë një ndër zërat më opozitarë, i cili ka folur hapur për problemet e mëdha që dolën gjatë manifestimit të 100-vjetorit të Pavarësisë, nëntor 2012.

Akademik Korkuti në emër të shumicës së akademikëve ngriti zërin që “Tirana nuk kishte nevojë për një monument, sepse monumenti është atje ku ka ndodhur ngjarja historike, në Vlorë” dhe hodhi idenë se e nevojshme ishte një shtatore e Ismail Qemalit si themelues i shtetit shqiptar.

Por pavarësisht se nënkryetari i ASHSH-së, Korkuti, e nxori në dukje problemin, vetë kryetari i akademisë Gudar Beqiraj nuk pati asnjë ndikim frenues në këto vendimmarrje qeveritare dhe 100-vjetori i Pavarësisë përfundoi me miliona lekë të hedhura dëm për një “ngrehinë hekuri” që u ngrit te Parku Rinia - shumë e kontestuar nga artistët, politikanët, qytetarët për mungesën totale të vlerave të saj si monument përkujtimor i 100-vjetorit - dhe, gjithashtu, ky manifestim përfundoi me dështimin e shtatores së Ismail Qemalit.

Paraprakisht nuk pati asnjë rast të vetëm që vetë kryetari i Akademisë së Shkencave, Gudar Beqiraj, të ngrinte zërin për ndonjërin nga këto probleme, duke u bërë palë me qeverinë dhe vendimmarrjet absurde të saj. Megjithatë, Gudar Beqiraj nuk heq dorë nga postet drejtuese të ASHSH-së, ku pas konkursit të shpallur hedh sërish kandidaturën e tij, por këtë herë duke ndërruar vendin me nënkryetarin Korkuti, nga kryetar në vartës të tij.

SI DO TË BËHEN ZGJEDHJET E KRYESISË NË AKADEMINË E SHKENCAVE
 
Shpallja e zgjedhjeve në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë supozon që të sjell edhe ndryshime për një qëndrim më ndikues në botën shkencore dhe akademike të Shqipërisë, por duke parë kandidaturat aktuale duket se nuk do të ketë ndryshime të thella në konceptin qeverisës. Thjesht kupola më e lartë drejtuese e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë ndërron karriget.

Kandidat për kryetar është shpallur akademik Muzafer Korkuti dhe për postin  zëvendëskryetarit akademik Gudar Beqiraj, i cili ka marrë titullin akademik në vitin 2003 nga Akademia e Shkencave. Ndërkohë, ka hedhur kandidaturën e tij për drejtuesin e shkencave shoqërore dhe albanologjike, akademik Ethem Likaj, në vend të akademikut Jorgo Bulo.

Burimet nga ASHSH pohojnë se shkaku i mungesës së një rotacioni të plotë në këtë institucion është se megjithëse konkursi ka qenë i hapur, nuk kanë kandiduar emra të tjerë. “Gjërat janë në rregull. Është shpallur konkursi sipas rregullave dhe janë ofruar kandidatët. Thjesht nuk kanë kandiduar të tjerë”, -tha dje akademik Jorgo Bulo, që deri më sot mban postin e drejtuesit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike në këtë akademi.

Por Bulo rezervohet që të jap me detaje arsyet e dorëheqjes së tij nga postet akademike. Pas shpalljes së kandidaturave pritet që Asambleja të zgjedh me votim të fshehtë për një mandat katërvjeçar kryetarin e Akademisë dhe zëvendëskryetarin dhe, për një mandat pesëvjeçar, sekretarin shkencor dhe kryetarët e seksioneve.

Kryetari, zëvendëskryetari dhe sekretari shkencor përbëjnë Kryesinë e Akademisë. Në Kryesinë e Akademisë duhet të përfaqësohen të dy seksionet e saj. Këshilli Ekzekutiv përbëhet nga 5 anëtarë: kryetari, zëvendëskryetari, sekretari shkencor i Akademisë dhe kryetarët e seksioneve. Kryetari i Akademisë është edhe kryetar i Këshillit Ekzekutiv.

FUNKSIONET E AKADEMISË SË SHKENCAVE TË SHQIPËRISË

Akademia e Shkencave e Shqipërisë, e themeluar më 1972, është institucioni më i rëndësishëm shkencor në Republikën e Shqipërisë. Ajo përfshin shkencëtarë nga më të shquarit, akademikë, të cilët zhvillojnë veprimtari shkencore në institute dhe qendra kërkimore, si dhe organizma të tjerë shkencorë brenda dhe jashtë vendit. Akademia ka 26 anëtarë, akademikë; 13 anëtarë, akademikë të asociuar dhe 26 anëtarë nderi.
Akademia ka dy seksione: Seksionin e Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike dhe Seksionin e Shkencave Natyrore dhe Teknike. Në strukturën e saj përfshihen gjithashtu, Njësia e Projekteve të Kërkim-Zhvillimit Teknologjik e Inovacioneve, Dega e Marrëdhënieve me Jashtë dhe me Publikun, Biblioteka Shkencore dhe Botimet.

KANDIDATURAT
 
Kandidat për kryetar-akademik Muzafer Korkuti
Kandidat për zëvendëskryetar-akademik Gudar Beqiraj
Kandidat për drejtuesin e shkencave shoqërore dhe albanologjike akademik Ethem Likaj

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 02.07.2013
 
Redaskia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Sarandë/ Vrau burrin, dërgohet në spital psikiatrik 48-vjeçarja

Sarandë/ Vrau burrin, dërgohet në spital psikiatrik 48-vjeçarja