Itali, ulet numri i viktimave, rritet i të infektuarve dhe të shëruarve! Në 24 orë shënohen 727 të vdekur! Spanja tejkalon100 mijë infeksione

Vdekjet nga infeksioni i koronavirusit në të gjithë botën kanë tejkaluar shifrën e 42,000 ndërsa rastet e infektimit tani janë më shumë se 860 000. Kjo është ajo që del nga të dhënat e azhornuara të Universitetit John Hopkins.

SHBA janë vendi numrin më të madh të të infektuarve me rreth 190 mijë dhe me mbi 4000 viktima, ndjekur nga Italia me rreth 106 mijë të infektuar dhe afërsisht 12.500 mijë vdekje dhe Spanja me rreth 96 mijë të identifikuar me Covid-19 dhe rreth 8500 viktima.

Me mbi 40% të totalit të vdekjeve në SHBA, New York-u mbetet epiqendra e Covid-19 përtej Atlantikut.

Në një ditë me një rekord të ri dramatik në SHBA prej 865 viktimash nga Covid-19 Presidenti Donald Trump tha se ai po planifikon të shpall ndalimin e udhetimeve nga Brazili ku miku dhe aleati i tij, Jair Bolsonaro, po përballet edhe ai me pandeminë e koronavirusit pavarësisht se e ka quajtur atë një grip i butë.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, në rastin më të keq “Viktimat në Shtetet e Bashkuara mund të bëhen 240 mijë”, dhe se sipas modeleve të përpunuara nga autoritetet, “të paktën 100 mijë të identifikuar të infektuar nga koronavirusi do të vdesin”.

Presidenti Donald Trump tha se vendi do të përballet me "dy javë shumë, shumë të dhimbshme".

“Sado që 100-240 mijë janë numra shumë serioz, ne duhet të përgatitemi për të”, tha Anthony Fauci, ekspert i sëmundjeve infektive në SHBA.

Megjithatë, ai shtoi se masat parandaluese, të tilla si distancimi fizik, janë duke funksionuar dhe se autoritetet shpresojnë që numri i viktimave të mos rritet, nëse të gjithë e bëjnë pjesën e tyre për parandalimin e përhapjes së virusit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:23
Itali, ulet numri i viktimave, rritet i të infektuarve dhe të shëruarve! Në 24 orë shënohen 727 të vdekur, 1 118  të shëruar

Në Itali ulet numri i vdekje dhe shënon rritje numri i të infektuarve dhe të shëruarve.Gjatë 24 orëve të fundit kanë humbur jetën 727 persona duke shënuar ulje krahasuar me ditën e djeshme që ishte 837 viktima.

Ndërsa numri i të infektuarve ka pësuar rritje, ku gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar 2 937 raste të reja me COVID-19, ndërkohë që një ditë më parë ishin 2 107.

Një lajm i mirë vjen për të shëruarit, ku dhe numri i tyre ka shënuar rritje. Gjatë 24 orëve janë shëruar 1 118 persona nga 1 109 që ishin ditën e djeshme.

Gjithsej COVID -19 ka shënuar 13 mijë e 155 viktima në Itali, janë infektuar gjithsej 110 574 persona , ndërsa janë shëruar dhe kanë fituar betejën e tyre me virusin 16 847.

Ora 18:10
Bill Gates zbulon planin për të luftuar Covid-19

1585757490_billgates1.jpg

Bill Gates, themeluesi i Microsoft-it, i cili paralajmëroi liderat e botës të përgatiteshin për një situatë pandemie që në vitin 2015-ën, ka publikuar së fundmi një plan që mund të ndihmojë SHBA-në dhe gjithë shtetet për të fituar luftën kundër koronavirusit.

Gjatë rekomandimeve të tij për Washington Post, Gates theksoi se është shumë e rëndësishme të merren vendimet e sakta, pasi ato ndikojnë në reduktimin e përhapjes së Codiv-19 dhe ekonominë e botës.

Sipas tij, hapi i parë është qasja e qëndrueshme ndërkombëtare ndaj shtetrrethimeve.

Gates u shpreh se izolimi është i rëndësishem dhe fakti që në disa shtete nuk ka akoma një shtetrrethim të plotë përbën kërcënim shumë të madh.

Ai gjithashtu ka shtuar se për të përfunduar sëmundjen, keni nevojë për një vaksinë të sigurt dhe efektive. Nëse bëjmë gjithçka siç duhet, mund të kemi një në më pak se 18 muaj, vaksinën më të shpejtë të zhvilluar ndonjëherë.

Por krijimi i një vaksine është vetëm gjysma e betejës. Për të mbrojtur amerikanët dhe njerëzit në mbarë botën, duhet të bëjmë miliarda doza. Pa vaksinë, vendet në zhvillim janë në rrezik më të madh se ato të pasura, sepse ata janë edhe më të vështirë për ta të bëjnë distanca fizike dhe mbyllje.

Ora 16:07
Covid-19-Lamtumira e fundit të një nëne me 4 fëmijët e saj. Letra e një infermiere zemërthyer

Letra e gjatë e një infermiere nga San Luigi di Orbassano në Itali, drejtuar kryetarit të bashkisë dhe që ai postoi në profilin e tij në Facebook.

"Kjo është një dëshmi e drejtpërdrejtë e shkruar për të gjithë - shkruan kryetari I Bashkisë, - për të rritur ndërgjegjësimin dhe të na bëjë të kuptojmë se çfarë po rrezikojmë".

"Mirëmbrëma z. Kryetari i Bashkisë

Unë që po ju shkruaj punoj në spital dhe do të doja tju tregoja një ditë tipike të kësaj situate të jashtëzakonshme. Nuk dua tju flas me shira dhe statistika as për dekretet dhe kufizimet.

Sa bukur të quhemi engjëj, por kush e di nëse jemi vërtet.

Është mëngjesi i një dite të shtune. Më në fund një ditë pushimi pas një jave me shumë punë. Më në fund mund t’i kushtohem familjes. Sapo jam zgjuar dhe më thërrasin sërish në punë. Spitali ka nevojë. Teksa mbërrij në spital, në korridore shoh fytyra të njohura por të lodhura, koleg që kanë 12 orë që punojnë papushim. Të gjithë të raskapitur. Futem në dhomë për tu veshur. Veshja është kohë e gjatë, duhet më kujdes dhe pa gabime ndryshe mund të infektohem. Futem në pavion dhe drejtohem te shtrati i njërës prej pacienteve. Edhe pse e intubuar ajo është e ndërgjegjshme, e kthjellët dhe e orientuar në kohë dhe hapësirë, por mbi të gjitha ajo e di që do të vdesë. E percepton vdekjen dhe e ndjen.

Ajo ka ditë që nuk ka futur gjë në gojë. Eshtë edhe e sëmurë me diabet. Pamja e saj lutëse më vret.

Ulem pranë saj për të shkëmbyer ca fjalë.

“Kam katër fëmijë. Janë të mëdhenjë. Nuk kam frikë nga vdekja, thjesht nuk do të doja të vuaja. Një ditë erdhi për të më vizituar një prej fëmijëve por nuk e lejuan të vinte këtu. Nuk mund të shoh më nipërit, mbesat, nuset dhe askënd. Unë këtu, ata në shtëpi”.

E pyes nëse i ka telefonuar. Më thotë "Po, por nuk është e njëjta gjë."

Pasi hyn mjeku zonjës i bie zilja e telefonit. Është djali i saj. Pacientja i thotë se në sallë është mjeku dhe ia kalon telefonin atij. Mjeku i tregon djalit të zonjës se si është situata e nënës së tij. “Gjendja është kritike’- i thotë mjeku.

Nga ana tjetër djali pyet mjekun nëse mundet të vij për ta parë dhe përshëndetur, qoftë edhe për pak çaste. Përgjigja është jo.

Ndërsa mjeku largohet nga dhoma, zonja qan me dëshpërim. Ndërsa ishte ende në telefon me të birin, ishte djali që qante në anën tjetër.

Flas në telefon me djalin e zonjës. I them të bëhen të katër fëmijët bashkë pas rreth një ore dhe i them se do t'i mundësojë një lidhje video me nënë e tyre.

Një orë kalon shpejt.

Bie zilja e telefonit. Hap thirrjen video dhe ata janë mbledhur të gjithë.

Zonja që nuk e priste duket e lumtur. Nga ana tjetër e telefonit flasin thuajse të gjithë njëherësh. I thonë nënës se e duan shumë. Dëgjohen edhe të qara. Thirrja zgjat rreth gjysmë ore. Përshëndetja është e papërshkrueshme. Zemrat janë të coptuara. Të gjithë kuptojnë gjithçka.

Zonja e sëmurë më merr dorën time në dorën e saj dhe më thotë “Faleminderit”. Paskësaj ajo ‘fiket’. Nuk mund të qëndroj në këmbë dhe dal me nxitim. Pas meje hyjnë të tjerët që do merren me trupin dhe dezinfektimin.

Vdiq e vetme, fare e vetme.

Agjensia e varrimit erdhi për të marrë trupin e për ta çuar në morg.

Kthehem në shtëpi dhe hap Facebook-un. Ankesa kudo. Ju kanë mohuar lirinë, fëmija nuk mund të shkojë më në park, qeni është mërzitur. Sa injorancë, sa pak probleme kanë njerëzit, por për një gjë ne jemi akoma me fat: edhe neve na janë mohuar shumë gjëra, duhet të bëjmë edhe sakrifica, por së paku kemi akoma dinjitet, një e drejtë që Covid-19 ju ka hequr shumë njerëzve.

Ora 15:26
Koronavirusi, Presidenti Sergio Mattarella-italianëve: Periudhën e trazuar do ta kapërcejmë sëbashku

Pas një mesazhi të premten e kaluar dhe më vonë përmes një fjalimi në television, edhe sot presidenti Italian i është drejtuar popullit në lidhje me situatën e rëndë që po kalon Italia.

“Këtë periudhë të trazuar të historisë të Republikës Italiane do ta kapërcejmë së bashku”.- ishte ky thelbi i mesazhit që presidenti Italian, Sergio Mattarella i drejtoi qytetarëve përmes një njoftimi publik.

"Ne po jetojmë një faqe të trishtuar në historinë tonë. Kemi parë imazhe që do të jenë të pamundura për t’u harruar. Në disa rajone, veçanërisht brezi i vjetër po paguajnë një çmim shumë të lartë”- shkruan Mattarella.

Në mesazhin e tij, presidenti Italian gjithashtu nënvizon dramën e këtyre ditëve të pandemisë, atë të personelit shëndetësor që shpesh ka punuar pa pajisjet e sigurisë për të mbrojtur veten nga koronavirusi. Ai gjithashtu falenderon në mesazhin e tij punonjësit e zbatimit të ligjit dhe Forcat e Armatosura të përfshira me ndihmën e tyre në emergjencën shëndetësore.

Të dhënat e fundit nga fronti i luftës me koronavirusin në Itali konfirmojnë shpresën se kurba në grafikun e pandemisë do nisë rënien graduale. Një tjetër lajm i mirë vjen nga rajoni i Lombardisë ku veç tendencës në ulje të infeksioneve është ulur edhe numri i pacientëve që i nënshtrohen terapisë intensive.

Ora 14:21
Koronavirusi, Agjensia Europiane e Barnave: Po vlerësojmë një duzinë vaksinash

Agjensia Europiane e Barnave (Ema) po vlerëson një duzinë vaksinash të mundshme kundër Covid-19. Nga këto, dy tashmë kanë filluar fazën e parë të eksperimentimit, e cila kërkon vullnetarë të shëndetshëm për t’u testuar.

Sidoqoftë, është e vështirë të parashikohet, shpjegon Agjencia në faqen e saj të internetit, se kur ato do të jenë gati.

Bazuar në informacionin e disponueshëm dhe përvojën e kaluar, vlerësohet se mund të duhet të paktën një vit që një vaksinë të jetë e gatshme për t’u aprovuar dhe e disponueshme në sasi të mjaftueshme për përdorim të gjerë.

Vlerësime për 40 ilaçe

Për sa i përket terapive të mundshme, Agjensia Europiane e Barnave po vlerëson në terren 40 ilaçe. Ndërsa priten ende rezultatet, për momentin nuk ka prova të shumta të efikasitetit për asnjë prej tyre. Sidoqoftë, në mesin e "terapive të mundshme" mbi të cilat po kryhen eksperimente, ekzistojnë dy ilaçe antimalarje, dy antiviralë të përdorur kundër HIV dhe një anviral i zhvilluar për Ebola.

Nga ilaçi anti-Ebola tek klorokuina

Ndër terapitë e mundshme mbi të cilat po zhvillohen testime në terren, shpjegon agjensia, ekziston edhe remdesivir (i zhvilluar për Ebola), kombinimi i antiviraleve lopinavir / ritonavir (tashmë i aprovuar dhe në përdorim kundër HIV), klorokin dhe  hidroksilkloroina (e autorizuar kundër malaries dhe për disa sëmundje autoimune, siç është artriti reumatoid).

Ora 13:35
Koronavirusi, Mbretëria e Bashkuar synon 25 mijë teste në ditë. Irani tejkalon totalin e 3000 viktimave nga Covid-19

Mbretëria e Bashkuar synon 25 mijë teste në ditë

Autoritetet shëndetësore britanike po synojnë të kryejnë 25 mijë teste në ditë. Kjo u deklarua sot nga Nënsekretari për Strehimin Robert Jenrick. Londra vazhdon të jetë është subjekt i kritikave në rritje në lidhje me numrin e testeve të kryera deri më tani, rreth 143 mijë, veçanërisht kur krahasohet me vendet e tjera, siç është Gjermania, e cila kryen 70 mijë në ditë. Dje numri i vdekjeve në 24 orët e fundit ishte 381 për gjithsej 1793 kurse numri i të infektuarve është rritur në mbi 25 500.

Iran, mbi 3000 vdekje nga Covid-19

Vdekjet në Iran tejkaluan shifrën 3 mijë. Buletini i fundit i Ministrisë së Shëndetësisë raporton 138 vdekje të reja në 24 orët e kaluara, me gjithsej 3.036 viktima me një total infeksioni prej 47.593.

"Shtetet e Bashkuara kanë humbur një mundësi historike për të hequr sanksionet," tha Presidenti iranian Hassan Rouhani në një mesazh video të transmetuar në televizionin shtetëror .

"Armiqësia e tyre" ndaj iranianëve "është e dukshme", shtoi ai, Ne kemi pasur më shumë sukses se shumë vende të tjera në luftën kundër kësaj sëmundje".

Disa vende i kanë dërguar ndihma Iranit, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, Kinën, Katarin, Turqinë, Francën dhe Britaninë e Madhe.

Ora 13:11
Koronavirusi, Spanja tejkalon 100 mijë infeksione, 849 vdekje në 24 orë

Me 7,719 infeksione të reja, Spanja ka kapërcyer pragun e 100 mijë rasteve me Covid-19 kurse numri i viktimave është rritur në mbi 9000.

Spanja ka regjistruar gjithashtu një rekord të ri të trishtuar ditor teksa në vend kanë vdekur brenda një dite 849 të infektuar nga koronavirusi.

Sipas autoriteteve, vendi duhet ta përmbajë koronavirusin më shpejt se Italia dhe Hubei, në Kinë në mënyrë që të mos kalojë shifrën e 25 mijë vdekje në dy javë.

Nëse Spanja do të ndiqte një trend të ngjashëm me atë italian, 15 mijë vdekje të tjera mund të arriheshin brenda gjashtë ditësh.

Sidoqoftë, kurba e viktimave në grafikun e pandemisë ka filluar të tregojë shenja të ngadalësimit dhe duket se po rrafshohet pas dy javësh izolimi.

Ora 10:37
Conte: Ne po shkruajmë histori, jo manual ekonomie! BE gati planin 100 mld € kundër papunësisë

Në një intervistë për TV gjerman Ard, kryeministri italian Giuseppe Conte tha se “Ndërsa Europa është ende e ndarë në lidhje me një plan efektiv të përbashkët për të luftuar krizën e shkaktuar nga koronavirusi, me një përplasje të dukshme midis shteteve të Europës Veriore dhe zonës së Mesdheut, Italia po shkruan faqe në librin e historisë dhe jo një manual ekonomie”

Conte theksoi se “Kjo është një sfidë epokale me një ndikim shkatërrues në sistemin shëndetësor, ekonomik dhe shoqëror italian. Europa duhet të tregojë nëse është shtëpi për qytetarët europianë dhe duhet të jetë në lartësinë e situatës”.

Ndërkohë Komisioni Europian do të punon për një plan prej 80-100 miliardë eurosh për të ndihmuar shtetet anëtare të ruajnë vendet e punës në krizën e koronavirusit përmes një skeme evropiane "risigurimi" të papunësisë.

Qëllimi është krijimi i një sistemi në nivelin europian që lejon instrumente financimi përmes mbështetjes publike për punëtorët në mënyrë që të shmangen mbylljet e vendeve të punës sa më shumë që të jetë e mundur.

Propozimi i Komisionit pritet të paraqitet para Eurogroupit më 7 Prill, gjatë së cilës ministrat e financave të zonës euro do diskutojnë opsionet e ndryshme në tryezë për t'iu përgjigjur ndikimit ekonomik të krizës nga Covid-19.

Ora 10:15
Belgjikë, e moshuara me koronavirus refuzon respiratorin: Jepjani një të riu...Ndërroi jetë 2 ditë më pas

Në një kohë kur e gjithë bota po vuan mungesën e ventilatorëve përgjatë pandemisë së koronavirusit, një pajisje kyçe që nevojitet për të përballuar sëmundjen, një e moshuar nga Belgjika vendosi të bëjë një gjest fisnik.

Suzanne Hoylaerts, ndërroi jetë nga koronavirusi pasi me vullnetin e saj refuzoi të përdorte ventilatorin.

90-vjeçarja iu kërkoi doktorëve që ta përdornin pajisjen për pacientë më të rinj që kishin nevojë për të.

“Nuk dua të përdor frymëmarrje artificiale. Jepjani këtë një të riu. Unë kisha një jetë të mirë”, është shprehur ajo.

E moshuara nga Binkom, u shtrua në spital më 20 mars kur shëndeti i saj u përkeqësua për shkak se ishte infektuar nga Covid-19, dhe ndërroi jetë dy ditë më pas.

Në Belgjikë numri i të identifikuarve me Covid-19 është rreth 13 mijë kurse numri i viktimave është rritur në mbi 700.

Ora 10:05
Koronavirus, Ministri i Shëndetësisë në Itali: Masat kufizuese të paktën deri më 13 prill. Pa vaksinën lufta nuk mund të quhet e fituar

Ministri i Shëndetësisë në Itali, Roberto Speranza gjatë një raportimi mbi situatën e pandemisë konfirmoi zgjatjen e masave kufizuese të miratuara nga qeveria e kryeministrit Giuseppe Conte për të përmirësuar përhapjen e infeksionit nga koronavirusi.

"Të dhënat nga Mbrotja Civile tregojnë se situata po përmirësohet, por do të ishte gabim të binim në optimizëm të tepëruar. Alarmi nga epidemia ende qëndron. Është e rëndësishme që të mbahen në fuqi të gjitha masat e kufizimeve ekonomike dhe sociale si dhe kufizimet e lëvizjes deri në 13 Prill."- tha Speranza.

Për Ministrin e Shëndetësisë tani është thelbësore të mos bie vigjilenca.  "Italianët kanë dhënë një provë të shkëlqyeshme të pjekurisë. Ekspertët thonë se ne jemi në rrugën e duhur, dhe se masat drastike të marra kanë filluar të japin rezultate. Por do të ishte një gabim i pafalshëm nëse biem në euforizëm. Beteja do të jetë e gjatë".  Roberto Speranza tha se "Deri sa të kemi gjetur një vaksinë beteja kundër virusit nuk do quhet e fituar". 

Në 24 orët e fundit në Itali janë shënuar 837 viktima, 2107 të prekur nga infeksioni dhe 1109 të shëruar.

Pavarësisht pasqyrës së shifrave tendenca e kurbës së epidemisë është në rënië. Vlen për tu theksuar se në 24 orët e fundit në Itali janë kryer 29.609 teste tamponi kurse dje vetëm 23 mijë. tampona u kryen dje, në vend të pak më shumë se 23 mijë.

Bazuar në këto të dhëna, dy ditë më parë në çdo 6 tampona kishte një person të infektuar, dje çdo 7 teste tamponi një person i infektuar. Prandaj, tendenca është pak në rënie.

Presidenti i Institutit të lartë të shëndetit në Itali, Silvio Brusaferro tha se "Kurba e infeksionit na tregon se po arrijmë një lloj pllaje dhe se masat e marra nga qeveria Conte po funksionojnë. 

Ora 09:46
Koronavirusi-Britania e Madhe, vdes 13 vjeçari në Londër i infektuar me Covid-19

Një i ri 13-vjeçar në Londër është bërë viktima më e re e koronavirusit në Britani.

Ismail Mohamed Abdulwahab, nga Brixton, vdiq i vetëm në Spitalin ‘King's College’.

Sipas autoriteteve ai nuk kishte sëmundje të tjera të mbartura që mund të kenë ndikuar në humbjen e jetës së adoleshentit.

Familja e djalit, i cili gjithashtu kohët e fundit humbi babanë e tij nga kanceri, thanë se ata nuk do të lëshonin asnjë foto të Ismailit për shtypin.

Familjarët e viktimës tha në se Ismail Mohamed Abdulwahab Kur “filloi të shfaqte simptoma si kollë dhe ethe dhe kishte vështirësi në frymëmarrje” u shtrua në Spitalin e Kings College. Ai u intubua menjëherë dhe më pas u fut në gjendje kome të induktuar, por fatkeqësisht vdiq sot në mëngjes.

Ora 09:26
Koronavirusi, Italia po e mund virusin. Izolimi po jep rezultatet e pritura. Epidemia tashmë ka arritur pikun (VIDEO)

Të dhënat e fundit nga fronti i luftës me koronavirusin në Itali konfirmojnë shpresën se kurba në grafikun e pandemisë do nisë rënien graduale, se nuk duhet vigjilenca dhe se çdo ditë e re do ketë informacione pozitive.

Një tjetër lajm i mirë vjen nga rajoni i Lombardisë ku veç tendencës në ulje të infeksioneve është ulur edhe numri i pacientëve që i nënshtrohen terapisë intensive.

Italia po e mund virusin. Karantina po jep rezultatet e pritura. Sipas të gjitha matjeve nga autoritetet e shëndetit, epidemia në Itali tashme ka arritur pikun.

Instituti Italian i Shëndetit Publik deklaroi se indeksi i transmetimit të virusit po zbret afër shifrës 1, që do të thotë se 1 i prekur infekton potencialisht vetëm 1 tjetër. Rrjedhimisht kurba e të infektuarëve ka arritur majën e sheshtë dhe nga këtej e tutje pritet të fillojë rënia graduale.

Numri i të infektuarëve në Lombardi ka shënuar rënie për të disatën ditë rresht.

Për herë të parë në këtë rajon numri i pacientëve në terapi intensive, jo vetëm që nuk është rritur, por ka shënuar rënie. Presidenti i Institutit të lartë të shëndetit në Itali, Silvio Brusaferro tha se masat e distancimit social duhet të vazhdojnë derisa indeksi i transmetimit të bjerë në 0.5, cka nënkupton vënien totalisht të epidemisë në kontroll

Ora 09:13
Koronavirusi-Europa e goditur fort nga pandemia. Sistemi shëndetësor në Francë dhe Britani rrezikon kolapsin

Europa vazhdon të goditet fort nga pandemia.

Gjermani rastet janë më shumë se dyfishuar në gjashtë ditët e fundit dhe sipas Ministrisë së Shëndetësisë pritet një përkeqësim i situatës epidemiologjike teksa deri tani në vend ka rreth 72 mijë të identifikuar me Covid-19 dhe 775 viktima.

Kreu i Institutit gjerman Robert Koch për sëmundjet infektive, Lothar Wieler tha se niveli aktualisht i ulët i vdekshmërisë në Gjermani do të pësojë një rritje të mëtejshme.

"Shkalla e vdekshmërisë aktualisht është e ulët në Gjermani. Arsyeja është se kemi filluar testimin herët, se po bëjmë shumë teste, përfshirë këtu edhe raste me simptoma të lehta. Unë mendoj se shkalla e vdekshmërisë do të rritet më tej”.

Edhe Franca dhe Britania e Madhe kanë regjistruar numra rritës në shifrat e 24 orëve të fundit.
Parisi zyrtar ka njoftuar se totali i të prekurve nga infeksioni është afërsisht 83 mijë për një total vdekjesh prej më shumë se 3500.

Në vend shume spitale kanë arritur në pikën e saturimit dhe nuk kanë më shtretër të lirë. Për këtë arsye shumë pacientë dhe thuajse ditë për ditë po transferohen nga lindja në perendim të vendit apo anasjelltas me trena të shpejtësisë së lartë në spitale ku ka vende të lira.

Britaninë e Madhe autoritetet kanë raportuar për një total prej afro 25 500 të infektuar dhe rreth 1800 viktima. Teksa sistemi shëndetësorë në vend po përballet me vështirësi, trupa të ushtrisë kanë ndihmuar në ndërtimin e spitalit Nightingale me 4.000 shtretër në Londër.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë