TIRANË - Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për mesazhin e shpërndarë në audio në Whatsapp se ka 12 raste të infektuarisht me koronavirus në Shqipëri. Hetimet kanë nisur kryesisht, menjëherë pas përhapjes në media të këtij informacioni, i cili u përgënjeshtrua nga Ministria e Shëndetësisë, por edhe nga vetë kryeministri Edi Rama në një reagim pasditen e djeshme.
Hetimet kanë nisur për veprën penale “Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik".
"Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë, duke marrë shkas nga të dhënat e ndryshme të bëra publike në media si dhe përhapja e mesazheve nëpërmjet telefonit, në lidhje me informacione të dyshuara si të rreme mbi përhapjen e mundshme të Coronavirusit, në vendin tonë, filloi kryesisht hetimin për veprën penale të “Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik”, parashikuar nga neni 267 i Kodit Penal.
Objekti i hetimit lidhet me situatën e krijuar si rezultat i hapjes së informatave për të cilat dyshohen se janë të rreme, për shkak të natyrës sensitive që paraqet përhapja e këtyre informacioneve në masën e gjerë.
Duke treguar impenjimin maksimal të prokurorisë, në trajtimin e rasteve të tilla, sjellim në vëmendjen e qytetarëve se çdo përhapje e informatave apo njoftimeve të rreme, me fjalë, me shkrim, apo me çdo mënyrë tjetër, me qëllim që të ngjallë një gjendje pasigurie dhe paniku tek njerëzit është penalisht e dënueshme.
Vijojmë të ndjekim me interes të shtuar, çdo të dhënë në raport me rastin konkret, duke kërkuar mirëkuptimin dhe besimin e qytetarëve. Nga ana tjetër, mirëpresim çdo qytetar për informacionet që mundet të disponojnë", thuhet në një njoftim zyrtar të Prokurorisë.
Deri më tani, burime zyrtare i thanë Shqiptarja.com se vajza nuk është identifikuar, e për pasojë as nuk është thirrur në polici,
Komente











