Pas Italisë, Shqipëria bllokon kufijtë edhe me Greqinë, Maqedoninë e Veriut dhe me Malin e Zi, por pjesërisht duke lënë të hapur nga një mundësi. Me identifikimin e rasteve të para me COVID-19 në Kosovë, është bllokuar për 14 ditë edhe pika kufitare në Morinë. Por do të kenë mundësi që shqiptarët që ndodhen në Kosovë të kthehen në atdhe, ashtu sikundër edhe kosovarët që ndodhen në vendin tonë mund të largohen drejt Kosovës. Në pikën kufitare janë të stacionuara ekipet mjekësore për të bërë kontrollet e domosdoshme. 

Kështu, nëse drejt Greqisë nuk do të ketë asnjë lundrim me traget Sarandë-Korfuz e anasjelltas, apo udhëtime me autobus, do të lejohen lëvizjet me makina personale.  I lejuar mbetet vetëm transporti i mallrave.

Ndërkohë, me Malin e Zi ësht ëlënë hapur pika kufitare e Hanit të Hotit, ndërsa është bllokuar Muriqani dhe Vermoshi. 

Sakaq, Maqedonia ka bllokuar pikën doganore të Bllatës e cila lidhet me Dibrën, dhe mbetet e hapur vetëm Qafë-Thana dhe e Tushemishtit.

Këto vendime vijnë në kuadrin e masave parandaluese për të frenuar përhapjen e koronavirusit kur Shqipëria tashmë ka raste të infektuarish dhe të një viktime me COVID-019.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:57
Bllokohet pika doganore e Bllatës me Maqedoninë, e lirë Qafë Thana

Kryeministri Edi Rama tha se edhe Maqedonia ma bllokuar hyrjet dhe daljet të njerëzve dhe mjeteve në pikën doganore të Bllatës si masë parandaluese kundër koronavirusin dhe të vendosë Dibrën e Madhe në regjim masash shtrënguese.

Ndërkohë që është e lirë për kalimin e mjeteve dhe njerëzve  pika doganore e Qafë Thanës që do të lidh Shqipërinë me Maqedoninë.

Ora 21:09
Bllokohen hyrje-daljet në Muriqan dhe Vermosh, kalimi i lirë në pikën doganore Hani i Hotit

1584130289_KufiriSukobinMuriqan.jpg

Prej orës 21:00  të ditës së sotme 13 mars, bllokohet kufiri i Shqipërisë dhe Malit të Zi për të gjitha hyrjet dhe daljet  të njerëzve dhe mjeteve në pikat kufitare të Muriqanit dhe Vermoshit, për të parandaluar  përhapjen e koronavirusit. Njoftimi është dhënë nga Policia Kufitare, ku u bën thirrje qytetarëve të anulojnë lëvizjet e tyre.

Kurse në Pikën kufitare Hani i Hotit do të vazhdojë lëvizja, si në hyrje dhe në dalje, si për shtetasit edhe për mjetet.

Policia Kufitare kërkon mirëkuptimin e qytetarëve që të anulojnë lëvizjet e planifikuara dhe ata që ndodhen duke lëvizur në drejtim të këtyre pikave të kthehen mbrapa, pasi nuk do lejohen të kalojnë.

Ora 19:05
Koronavirusi/ Ndalohet nga nesër lëvizja e pasagjerëve drejt Greqisë...vetëm me makinë personale

1566209441_sarande.jpg

Nga 14 marsi, pezullohen deri në një njoftim të dytë të gjitha lëvizjet detare dhe nga toka me Greqinë. Drejtoria Detare në zbatim të urdhrit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës, bëri të ditur ndalimin e të gjitha lëvizjeve të pasagjerëve të linjave Sarandë-Korfuz dhe Korfuz-Sarandë, pas ndryshimit të situatës ne Greqi për shkak të përhapjes së COVID-19. Të gjitha linjat e trageteve mes Greqisë dhe Shqipërisë bllokohen deri në një urdhër të dytë dhe nuk do lejohet asnjë pasagjer të udhëtojë në drejtim të Shqipërisë apo në drejtim të Greqisë.

Po ashtu është ndaluar edhe transporti i pasagjerëve me autobus, por do të lejohet që të shkohet drejt Greqisë me makinë personale.

Nuk preket nga këto masa transporti i mallrave.

"Të gjitha linjat e transportit pasagjerëve do lejohen të marrin pa kufizim kamionë dhe mallra nga Greqia me destinacion Shqipërinë gjithashtu do të lejohen të gjitha anijet e mallrave nga Greqia për në Shqipëri dhe anasjelltas. Ekuipazhi dhe shoferët do t'i nënshtrohen kontrolleve te rrepta në portet shqiptare", thuhet në një njoftim të Drejtorisë së Përgjithshme Detare.

Agjencitë Detare për linjat: Sarande-Korfuz-Sarandë duhet të ndalojnë prenotimin e biletave nga portet e Sarandës dhe Korfuzit. "Të lajmërohen pasagjerët në sportelet e porteve për urdhrin e bllokimit të lëvizjes nga Greqia në drejtim të Shqipërisë dhe anasjelltas. Thyerja e këtij urdhri nga operatorët do klasifikohet shkelje e rëndë dhe do ju hiqet licenca e aktivitetit te transportit ndërkombëtar të udhëtarëve", përfundon njoftimi.

Ora 18:34
Identifikohen të ardhurit nga Italia, policia kontrolle në banesat e tyre dhe sms të respektojnë vetëkarantimin

Kryeministri Edi Rama njofton se policia ka identifikuar të gjithë qytetarët shqiptarë që kanë hyrë nga Italia në 14 ditët e fundit dhe kryen rregullisht kontrollet në banesat e tyre apo u dërgon sms që të respektojnë vetëkarantiminim

"Policia e shtetit ka identifikuar të gjithë qytetarët shqiptarë që kanë hyrë nga italia në 14 ditët e fundit. Pasi ka disponuar numrat e telefonit dhe adresat e tyre po vazhdon operacionin e posaçëm të sensibilizimit dhe monitorimit të tyre

Bashkëngjitur është mesazhi që u është dërguar këtyre qytetarëve dhe do të vijojnë trokitjet në dyert e tyre për t’u siguruar se po zbatojnë detyrimin e vetëkarantinimit 14 ditor. Të gjithë ata nuk duhet të harrojnë se në rast se kapen në rrugë, ndëshkohen me 5 mijë euro dhe do të ndalohen të dalin nga Shqipëria pa paguar gjobën!

Ndjesë 1000 herë po kjo është luftë dhe ndryshe nuk fitohet!

Frikë aspak, kujdes po!" shkruan Rama

Ora 17:49
Nesër në 10:00 mbyllen hyrje-daljet me Greqinë me autobus dhe avionë, kaloni vetëm nëse jeni me makinë

Pas pezullimit të fluturimeve me Italinë, kryeministri Edi Rama njoftoi se nesër në orën 10:00 do të mbyllen hyrje-daljet edhe me Greqinë përmes linjave të transportit ajror dhe tokësor me autobus. "Duke nisur nga dita e nesërme në orën 10.00 mbyllen hyrje - daljet me Greqinë përmes linjave të transportit ajror dhe tokësor me autobus! Frikë aspak, kujdes po!" shkruan Rama. Të vetmit që mund të kalojnë janë ata që udhëtojnë me veturë, pra nuk lejohet udhëtimi me linjat e autobusit dhe avionët.