TIRANE- Ndonëse ishte përfolur e kundërta, procesi i korrigjimit të provimeve të maturës për 2014-ën u është besuar sërish mësuesve ekspertë të lëndës përkatëse. Tashmë nuk do të jenë më 2 mësues të cilët do të kryejnë korrigjimin, por do të shtohet edhe një i tretë. “Ne do t’i japim fund modelit që për të kapur afatet kohore të shtohen në proces mësues të pa trajnuar dhe jo më të mirët. Do të rikthejmë gjithashtu vlerësuesin e tretë që u hoq në maturën 2013 dhe preku rëndë cilësinë e vlerësimit” ka pohuar Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla.

Ndërkohë që “korrigjuesit” duhet të përmbushin një sërë kriteresh sa i takon kualifikimeve që duhet të zotërojnë. Sipas përcaktimeve konkrete thuhet se procesi i vlerësimit të provimeve nuk do të bëhet në mënyrë dixhitale, dhe se për të marrë pjesë në procesin e korrigjimit të lëndëve me zgjedhje dhe atyre të detyruara, mësuesit jo vetëm që duhet të kenë formimin universitar në lëndën përkatëse në të cilën është zhvilluar provimi, por duhet të dëshmojnë edhe një sërë kualifikimesh profesionale, si dhe të kenë eksperiencë pune minimalisht mbi 5 vjet pranë shkollave të mesme.

Prioritet në përfshirjen e skemës së vlerësimit do të kenë të gjithë ata arsimtarë që kanë mbi 10 vjet punë në dhënien e mësimit pranë shkollave të mesme. Detaje të tjera sa i takon kritereve që duhet të plotësojnë mësuesit që do të përfshihen në korrigjimin e provimeve kanë të bëjnë me fakte të tilla që “ Mësuesi duhet të ketë qenë i saktë dhe i përpiktë në vlerësimet e provimeve të maturës në vitet e shkuara, (gjithmonë nëse ka marrë pjesë), duhet të jetë i vlerësuar me rezultate të larta në mësimdhënie, të jetë i çertifikuar si vlerësues, si dhe të mos ketë konflikte interesi, çka do të thotë se nuk duhet të ketë të afërm në procesin e provimeve” thuhet në Rregulloren e Maturës Shtetërore.

Edhe për këtë vit, testet e maturës do të korrigjohen në 6 qendra të përcaktuara, të cilat do të përzgjidhen nga Agjencia Kombëtare e Provimeve. Vlerësimi i çdo testi do të kalojë në duart e dy mësuesve, në rast se do të ketë ndryshime sa i takon vlerësimit të dhënë nga secili prej tyre, atëherë do të jetë një mësues i tretë që do të marrë përsipër korrigjimin e testit.

Shkrimi u publikua sot (02.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)