TIRANE - Banka e Shqipërisë bën të ditur se, gjatë muajve korrik -gusht 2014, bankat tregtare në vend, kanë ulur normat e interesit të kredive në lekë për individët dhe kanë lehtësuar kushtet e kreditimit për bizneset.
Sipas BSH-së, tendenca rënëse, lidhet me reflektimin e lehtësimit të vazhdueshëm të politikës monetare si me rritjen e konkurrencës në tregun e kredisë.
"Normat e interesit të kredisë në lekë janë ulur më tepër për individët dhe më pak për bizneset.  Interesi afatmesëm, i cili lidhet kryesisht me kredi konsumatore, ka rënë në mesatarisht 11.19% në muajt korrik-gusht nga 12.18% në tremujorin e dytë"  bëhet e ditur në raportin e politikës monetare të tremujorit të tretë të Bankës Qendrore.
Krahas faktorëve të tjerë, thekson raporti, -ky segment është ndikuar dhe nga faktori sezonal. Interesat afatgjata gjithashtu kanë pësuar rënie me 0.74 pikë përqindje, në nivelin 7.82%, dhe kanë mbështetur si kredinë hipotekore për individët ashtu dhe kredinë për investime për bizneset./ATSH/