GJKKO lë në burg Ilir Beqajn dhe Ermal Kurtulajn! Ish-ministrit i refuzohet garancia pasurore prej 50 mijë eurosh! Lehtësohet masa për Alfred Nikollajn

TIRANË- Ilir Beqajt nuk i bënë punë 50 mijë euro që i ofroi si garanci për të marrë lirinë. Gjyqtarja Rudina Palloj vendosi ta lërë në burg ish ministrin e Shëndetësisë, i arrestuar për abuzimet me fondet e Bashkimit Evropian teksa drejtonte SASPAC. Në burg u la edhe bashkëpunëtori i tij më i ngushtë Ermal Kurtulaj, edhe pse ky i fundit ashtu si ish shefi i tij ofroi garanci pasurore, paratë e shitjes së një AUDI Q7. 

‘Sapo kam shitur një "Audi Q7", mund ta vendos shumën e parave si garanci pasurore.’- tha ai para togave të zeza.

Nga burgu në arrest shtëpie u vendos për Alfredd Nikollajn, që ishte edhe i vetmi ndryshim në vendimin e gjykatës. Po në arrest shtëpie është lënë edhe Elton Marini. GJKKO rikonfirmoi masën e kërkuar nga SPAK edhe për Bledar Lekën dhe Bjona Zijajn, që u lanë në detyrim paraqitje.

Në seancën që zgjati për 6 orë dhe që u zhvillua me dyer të mbyllura e pa praninë e mediave, ish-ministri Beqaj mohoi akuzat që SPAK ka ngritur ndaj tij.

Avokati i tij, tha pas përfundimit të seancës se tha se Beqaj nuk i shmanget drejtësisë, ndërsa e gjitha ka si qëllim denigrimin e figurës së ish-ministrit.

‘Zoti Beqaj sqaroi edhe gjykatën që kjo është një tentativë për ta denigruar si figurë, për ta nxjerrë si person që mund të akuzohet edhe për vjedhje nga më minimalet, nga më të voglat, për ta penguar zotin Beqaj që të vazhdojë të punojë për çështjen e sterilizimit në gjykatë dhe për të penguar edhe deklarimin e tij në Kuvend”.

Avokati u pyet se nga kush po bëhet kjo tentativë, për të cilën ai mendon se është organi i akuzës.

“Në mendimin tonë është pikërisht organi i akuzës i cili çështjen e zotit Beqaj ka personale sepse me këtë ka filluar edhe aktiviteti i SPAK-ut, me kallëzimet ndaj zotit Beqaj.

Ndaj Ilir Beqaj SPAK ka ngritur akuzat e korrupsionit pasiv, mosdeklarimit dhe fshehjes së pasurisë, mashtrimit, dhe pabarazisë në tenderë. Ndërsa të proceduarit e tjerë akuzohen për korrupsion aktiv dhe pasiv si dhe për mashtrim.

SPAK thotë se ka gjetur prova se Ilir Beqaj si drejtues i SASPAC, në bashkëpunim me Kurtulajn, të cilin vetë e kishte emëruar, urdhëronte procedura fiktive prokurorimi, me vlerë qindra mijëra euro, kompanive të ndryshme për shërbime të pakryera dhe përfitues fundor të ishte pikërisht vetë ish ministri përmes Restorant Gzona në Tiranë, që SPAK thotë se është në pronësi të tij.

Mes 8 prokurimeve fiktive të zbuluara, SPAK evidenton pikërisht një të lidhur me ‘Landëays International’. SASPAC i dha 125 mijë € kompanisë së biznesmenit Gazmend Haxhia për organizimin e një konference turizmi “Festa”. Por për të njëjtin event, dhe Ministria e Turizmit pagoi 38.5 mln lekë të reja. Pra gjithsej për të njëjtin aktivitet u paguan nga dy institucioneve shtetërore mbi 500 mijë €, ndërsa në fund i vetmi shpenzim i regjistruar është ai i një darke mundësuar nga “Gzona” me vlerë rreth 41 mijë euro.

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:23
U lanë në burg nga GJKKO, zbardhet vendimi i gjykatës! 4 akuzat që rëndojnë ndaj ish-ministrit

1720087728_ilirbeqaj.JPG

GJKKO la në burg ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj, duke mos marrë në konsideratë garancinë pasurore prej 5 milionë lekësh.

Në njoftimin zyrtar GJKKO ka zbardhur se cilat janë akuzat që rëndojnë ndaj Beqajt, i cili ra në pranga më herët gjatë kësaj jave.

Ndaj Ilir Beqaj SPAK ka ngritur akuzat për 'Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore', 'Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim” “Mashtrim” si dhe “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.

Në seancën që zgjati rreth 7 orë, gjykata vendosi gjithashtu lënien në burg të bashkëpunëtorit të Beqajt, Ermal Kurtulaj, ndërsa la në arrest shtëpie Elton Marinin dhe Alfred Nikollin. Po ashtu u caktua masa “detyrim paraqitje” për Bledar Lekën dhe Bjona Zijajn.

Njoftimi i plotë i GJKKO:

1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 04.07.2024, Nr. Regj.Them. 73, ka paraqitur pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kërkesën penale me objekt: “1.Verifikimin e kushteve të zbatimit të masës së sigurimit dhe nevojat e sigurimit personal të vendosura për personat nën hetim; 2. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit “arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale për personat nën hetim Ilir Beqaj, Ermal Kurtulaj dhe Alfred Nikolla, të dyshuar për veprat respektive; 3. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, të parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale për personat nën hetim Bledar Leka dhe Bjona Ziaj, të dyshuar për veprat respektive; 4. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit “arrest në shtëpi” të parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale për personin nën hetim Elton Marini, të dyshuar për veprën penale respektive”.
2. Në përfundim të gjykimit Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Rudina Palloj, bazuar në nenin 112, 228, 229, 230, 234, 237, 238, 248, 249, 260 të K.Pr.Penale dhe Vendimin Unifikues të Gjykatës së Lartë nr. 7, datë 14.10.2011, me Vendimin Nr. 73, datë 06.07.2024.

1. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, caktuar me vendimin nr. 65, datë 03.07.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj personit nën hetim Ilir Hamid Beqaj, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore” kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 260 dhe 25 i Kodit Penal; “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim” parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal, “Mashtrim” kryer në bashkëpunim, me pasoja të rënda parashikuar nga nenet 143/2/ 3 i Kodit Penal, si dhe “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 258/2 dhe 25 i Kodit Penal.
2. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, caktuar me vendimin nr. 65, datë 03.07.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj personit nën hetim Ermal Xhemal Kurtulaj, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë publikë”, kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 260 dhe 25 i Kodit Penal, “Mashtrim” kryer në bashkëpunim, me pasoja të rënda parashikuar nga nenet 143/2/3 i Kodit Penal, si dhe “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 258/2 dhe 25 i Kodit Penal.
3. Zëvendësimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, caktuar me vendimin nr. 65, datë 03.07.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj personit nën hetim Alfred Nikollaq Nikolla, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë publike”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal dhe “Mashtrim” kryer në bashkëpunim, me pasoja të rënda parashikuar nga nenet 143/2/ 3 i Kodit Penal.
4. Caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, ndaj personit nën hetim Alfred Nikollaq Nikolla.
5. Në referim të nenit 237, pika 1 të K.Pr.Penale urdhërohet personi nën hetim Alfred Nikollaq Nikolla, të qëndrojë në banesën e tij me adresë: Rruga “Tish Daija”, Kompleksi “Kika 2”, Nd. 32, H4, Ap. 54, Nj. Adm. Nr. 5, Tiranë.
6. Në referim të nenit 237, pika 2 dhe 3 të K.Pr.Penale, kontrolli dhe mbikëqyrja e kësaj mase të bëhet nga shërbimet e policisë gjyqësore që mbulojnë vendbanimin e personit nën hetim Alfred Nikollaq Nikolla.
7. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, caktuar me vendimin nr. 65, datë 03.07.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj personit nën hetim Elton Koli Marini, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Mashtrim”, me pasoja të rënda kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 143/ 3 i Kodit Penal.
8. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, caktuar me vendimin nr. 65, datë 03.07.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj personit nën hetim Bledar Shpend Leka, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Mashtrim” kryer në bashkëpunim parashikuar nga nenet 143/2 i Kodit Penal.
9. Në referim të nenit 234, pika 2 të K.Pr.Penale urdhërohet personi nën hetim Bledar Shpend Leka, të paraqitet para oficerit të policisë gjyqësore Samet Gurguri, pranë Byrosë Kombëtare të Hetimit, të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji, ora 12.00.
10. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, caktuar me vendimin nr. 65, datë 03.07.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj personit nën hetim Bjona Bexhet Ziaj, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Mashtrim”, me pasoja të rënda, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 143/3 i Kodit Penal.
11. Në referim të nenit 234, pika 2 të K.Pr.Penale urdhërohet personi nën hetim Bjona Ziaj, të paraqitet para oficerit të policisë gjyqësore Samet Gurguri, pranë Byrosë Kombëtare të Hetimit, të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji, ora 12.00.
12. Ngarkohet Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe shërbimet e policisë gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi.
13. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 5 (pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit.

Ora 19:00
GJKKO e la në burg, avokati i Beqajt: Tentativë për ta denigruar si figurë dhe për ta penguar që të vazhdojë me 'Sterilizimin'

1720286762_ermalyzeiraj.jpg

Avokati mbrojtës i Ilir Beqajt, Ermal Yzeiraj pas seancës në GJKKO, tha se ish-ministri nuk i shmanget drejtësisë, ndërsa e gjithë kjo është një tentativë për 3 qëllime.

“Zoti Beqaj dhe personat e tjerë sqaruan dhe faktin në bashkëpunim sesi SASPAC-u me Ministrinë e Kulturës kishin organizuar një event dhe arsyeja pse një event i përbashkët mbante dy fatura që në dukje janë si zëra të publikuar, por faktikisht është për shkak të eventit që nga dita e parë e në vazhdim u nda salla në disa mikrofonë, panele e disa përkthime. Zoti Beqaj sqaroi edhe gjykatën që kjo është një tentativë për ta denigruar si figurë, për ta nxjerrë si person që mund të akuzohet edhe për vjedhje nga më minimalet, nga më të voglat, për ta penguar zotin Beqaj që të vazhdojë të punojë për çështjen e sterilizimit në gjykatë dhe për të penguar edhe deklarimin e tij në Kuvend.

Në mendimin tonë është pikërisht organi i akuzës i cili çështjen e zotit Beqaj ka personale sepse me këtë ka filluar edhe aktiviteti i SPAK-ut, me kallëzimet ndaj zotit Beqaj. Dështimi i çështjeve kryesore si “Sterilizimi” dhe “Check up”-i për akuzën është shumë domethënëse”.- tha Yzeriaj.

Sa i përket vlerës totale të mashtrimit, avokati tha se e ka pyetur disa herë gjykatën, por nuk ka marrë një shifër si përgjigje.

“Është e paqartë sasia e parave që pretendohet se Beqaj ka përfituar dhe nuk ka nga SPAK-u një përgjigje në lidhje me këtë. Pa u përgjigjur sa është sasia, nuk mund të ngresh akuzë për zotin Beqaj”, përfundoi ai

Ora 18:54
Ilir Beqaj para togave të zeza: Me të ardhurat që kam mund të përballoj disa makina, por s’kam patentë

1720087728_ilirbeqaj.JPG

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj u la në burg nga GJKKO. Gjatë seancës ai ka mohuar akuzat për abuzim me fondet e BE-së në SASPAC.

Në dëshminë e tij përsa i përket akuzës së SPAK, ku pretendohet se Beqaj ka fshehur pronësinë e një automjeti, i cili përdorej nga bashkëpunëtori i tij Ermal Kurtulaj, por në fakt ishte e tij, ish-ministri ka deklaruar se një automjet të tillë s’ka pse ta fshehë.

“Unë gjithmonë hipi pasagjer se s’kam patentë. Një makinë të tillë mund ta përdor pa problem me të ardhurat që kam, mund të përballoj jo shpenzimet e kësaj makine, por disa të tilla me të ardhurat që kam, s’kam arsye ta fsheh”, është shprehur Beqaj.

Ndërsa përsa i përket përfshirjes së gruas si bashkëpronare në restorantin Gzona, ai tha se ishte një kërkesë nga një mik i përbashkët për të qenë ortakë, për arsyen që të mund të tërheqë klientë të serës së lartë.

‘Kur është futur bashkëshortja te “Gzona”, ishte fat që një mik i përbashkët kishte interes për të bashkëpunuar në biznes. Kjo për faktin se shihej si mundësi për të ofruar për shkak të njohjes klientë të serës së lartë”- ka thënë Beqaj.

SI.E./E.H/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • HAXHI HAJDAR RE HEP BULE LEKA [ KEPI ]: 10/07/2024 12:24

    Ore mos e zgjasni sekustroja i pasurin hajdutit zuklappen Ilir Beqja e futeni nē burg. Llafet e shumta jan fukarallik pėr tipat e lloit Beqja.

    Përgjigju
  • Qobani: 07/07/2024 03:19

    Rruga ashtë e gjat me arrit tek Soji i njeriut,a po mundë ta kuptoni në cilën shkallë të sojit tek mahlukatet jemi ?

    Përgjigju
  • Mili: 06/07/2024 19:35

    Nga e ka gjet kete te pa aftin qe ben si i zgjuar, asnje gjyq ska fituar deri me sot. E mori ne qafe kete Beqen.

    Përgjigju
  • ylli: 06/07/2024 17:34

    asnje meshire per kete hajdut ordiner,,,burg...

    Përgjigju
  • Po mër po: 06/07/2024 17:08

    Audi Q7!!! A mund t'a zbuloni kush është pronari i ri i makinës???

    Përgjigju
    • Hinxitao: 07/07/2024 08:38

      Q7 një euro për të korruptuarin e rradhës

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

'Jua gris diplomat'/ Devis Xherahu shpërthen ndaj jurisë së Festivalit të 63 të Këngës: Jeni zhgënjimi më i madh

'Jua gris diplomat'/ Devis Xherahu shpërthen ndaj jurisë së Festivalit të 63 të Këngës: Jeni zhgënjimi më i madh