Prokuroria e Tiranës ka urdhëruar ndalimin e 4 personave, tre prej të cilëve zyrtarë publikë, të dyshuar për veprën penale të “korrupsionit pasiv” dhe “korrupsionit aktiv”, për procesin e legalizimit të një ndërtimi. Në bazë të veprimeve proceduriale të kryera nga Prokuroria e Tiranës, nisur nga informacioni i referuar nga Drejtoria Vendore e Policisë së Shtetit, rezultoi e provuar se shtetësja M.Sala ka aplikuar për lejen e legalizimit të një ndërtimi pa leje, në zyrat e ALUIZNI-t, Tiranë, në vitin 2014. Prej asaj kohe, ajo nuk ka marrë asnjë përgjigje për aplikimin e saj.

Për t’u interesuar për ecurinë e aplikimit, është interesuar vazhdimisht edhe vajza e aplikueses, shtetasja Klea Sala, e cila është efektive (studente) në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në sallën operative. Sipas të dhënave të prokurorisë kjo e fundit është njohur me shtetasen Sofia Musallaj, e cila i ka siguruar se kishte njohjet e duhura për të mbaruar punën me dokumentat në drejtorinë e ALUIZNI Tiranë.

Shuma financiare
Sofia Musallaj ka vendosur kontaktet ndërmjet të interesuarës, Klea Sala dhe një punonjësve të Hipotekës së Tiranës, Brikena Belli. Kjo e fundit, pasi ka konsultuar letrat e aplikimit të bëra nga nëna e Klea Salës, ka thënë se nuk ishte punë që e mbulonte institucioni i saj (Hipoteka). Gjithësesi, punonjësja e Hipotekës i ka thënë të interesuarës se kishte një mikun e saj te ALUIZNI-i i Tiranës, dega Laprakë, e konkretisht, shtetasin Marin Bezhani. Pas disa komunikimeve ndërmjet personave të mësipërm, është rënë dakord që e interesuara, shtetasja Klea Sala, të paguante shumën prej 6 mijë eurosh tek shefi i ALUIZNI-t për Laprakën, Marin Bezhani. Shuma e parave, në formë rryshfeti, është dorëzuar nga shtetasja Klea Sala tek punonjësja e Hipotekës, Brikena Belli, ditën e djelë në 12 nënëtor 2017.

Në 24 orë mori lejën e legalizimit
Shtetasja Brikena Belli është takuar pasditën e së dielës me shtetasin Marin Bezhani, duke i dorëzuar shumën e parave. Në vijim të kësaj “pagese”, ditën e djeshme në 13 nëntor 2017, aplikuesja Klea Sala ka marrë lejen e legalizimit në bazë të aplikimit të kryer nga nëna e saj në vitin 2014. Prokuroria e Tiranës ka qenë në ndjekje dinamike të kësaj situate dhe, pasditen e djeshme,ka kryer ndalimet e shtetasve, Klea Sala me detyrë efektive policie,Brikena Belli, punonjëse e Hipotekës Tiranë, Marin Bezhani përgjegjës i ALUIZNIT Tiranë dhe Sofia Musallaj. 

kleona sulaj
  (Kleona Sula, policja e ndaluar nga policia)

Redaksia Online

J.Sh Shqiptarja.com