TIRANË - U arrestua nëntorin e vitit 2017 për korrupsion,  Gjykata e Krimeve të Rënda dënon me 2 vite e 6 muaj burg gjyqtarin e Apelit të Tiranës Shkëlqim Miri. Pas gati një viti në qeli, gjyqtari Miri u shfaq sot pas kafazit të qelqtë në gjykatë për t’u njohur me vendimin që kolegët e dikurshëm të tij kishin marrë për të. Ndërkohë trupa gjykuese e drejtuar nga Ardit Mustafa lexoi vendimin, duke e shpallur fajtor dhe dënuar me 2 vite e 6 muaj burg. 

Me 1 vit e 8 muaj burg u dënua kushëriri i gjyqtarit Miri, Kujtim Miri që sipas prokurorisë kishte rolin e sekserit në aktin korruptiv. Shkëlqim Miri sipas gjykatës përfitoi 20 mijë euro ryshfet nëpërmjet Kujtim Mirit për të lënë në fuqi një vendim ndaj të dënuarit Gentian Doda, çka do t’i sillte këtij të fundit lirinë. 

Gjyqtarit në momentin e arrestimit iu sekuestruan në banesë 34 milionë lekë, një pjesë e të cilave iu kthyen pasi ai i justifikoi me faktin që i kishte marrë nga të afërmit për t’u kuruar nga tumori. Këtë argument Shklëqim Miri e përdori disa herë për të fituar lirinë, por u refuzua nga gjykata.

Në këtë procedim të pandehur janë dhe Alban Buci dhe vetë Gentian Doda, i cili pasi fitoi lirinë është shpallur sërish në kërkim nga policia. Ndërkohë gjyqtari Miri para kolegëve të tij të cilët sot e dënuan u shpreh:

“Nëse unë kam bërë korrupsion dhe kam marrë para, unë se kam dhënë vendimin i vetëm: pse dënohem vetëm unë?”.

Më herët Shkëlqim Miri u pezullua nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë deri në marrjen e vendimit të formës së prerë që do të sjelli edhe largimin e tij nga institucionet e drejtësisë.