Një nga projektligjet më të rëndësishme, si pjesë e paketës së re ligjore, është edhe Kodi i ndryshuar i Procedurës Penale. Në Kodin e ri, i cili ka shkuar në duart e anëtarëve të komisionit për Reformën në Drejtësi, përpos të tjerave, parashikohen rregulla të reja për kontrollin e banesave, kontrollin personal, hapjen kasetave të sigurisë dhe sekuestrimin e parave të pista në banka të pushtetarëve, të cilët do të vihen nën akuzë nga Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Prokuroria e Posaçme.
Për herë të parë, parashikohet e drejta për të sekuestruar çdo gjë të dyshimtë dhe të pajustifikuar, në banesat e të akuzuarave për korrupsion apo për një vepër tjetër penale, edhe nëse sendi apo paratë nuk kanë lidhje me hetimet. Konkretisht, projektligji zgjeron nenin 207 të Kodit aktual, ku parashikohet që, në rast se gjatë kontrollit zbulohen sende që nuk kanë lidhje me veprën penale për të cilat është dhënë vendimi i kontrollit, por që lidhen me një vepër tjetër penale të dyshuar, që ndiqet kryesisht, sendet e zbuluara sekuestrohen.
Projektligji ndryshon nenin 210 të Kodit aktual për sekuestrimin e parave në banane dhe çdo gjëje tjetër në kasetat e sigurisë. Konkretisht, parashikohet që prokurori mund të vendosë sekuestrimin pranë bankave të dokumenteve, letrave me vlerë, shumave të depozituara në llogari rrjedhëse dhe çdo gjëje tjetër, edhe nëse gjenden në kasetat e sigurisë, kur ka arsye të bazuara për të menduar se ato kanë lidhje me veprën penale, edhe kur nuk i përkasin të pandehurit ose kur nuk janë në emër të tij. Në këto raste, prokurori paraqet kërkesë për vleftësim në gjykatë brenda 48 orëve nga vendosja e sekuestros. Nëse gjykata nuk e vleftëson sekuestrimin të ligjshëm brenda 48 orëve nga marrja e kërkesës, sekuestroja bie dhe sendet duhet të kthehen.
Projektligji parashikon rregulla të reja për kontrollin e vendeve dhe kontrollin personal. Konkretisht, parashikohet që, kur i pandehuri kërkon praninë e mbrojtësit gjatë kryerjes së kontrollit, organi procedues shtyn kryerjen e kontrollit deri në mbërritjen e mbrojtësit, por jo më shumë se 2 orë nga momenti që mbrojtësi ka marrë dijeni për kontrollin. Gjatë kësaj kohe, organi procedues mund të kufizojë lëvizjen e personit të interesuar dhe personave të tjerë që ndodhen në vendin që do të kontrollohet. Kur i pandehuri nuk kërkon mbrojtës ose nëse mbrojtësi nuk paraqitet në afatin e caktuar e mësipërm, organi procedues cakton një mbrojtës kryesisht. Organi procedues mund të kontrollojë personat e pranishëm, kur çmon se këta mund të fshehin provën materiale ose sendet që i përkasin veprës penale. Ai mund të urdhërojë që të pranishmit të mos largohen para se të mbarojë kontrolli dhe të kthehen forcërisht ata që largohen. Kur nuk njihet ose nuk gjendet pronari ose poseduesi i sendit, organi procedues kryen kontrollin në praninë e detyrueshme të mbrojtësit të caktuar kryesisht.
Disa nga ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale
Neni 115
Pas nenit 202 shtohet neni 202/a si mëposhtë: “Neni 202/a
Vendimi për lejimin e kontrollit.
1. Vendimi për lejimin e kontrollit duhet të tregojë llojin e kontrollit, personin që kontrollohet dhe gjeneralitetet e tij, vendin apo banesën objekt kontrolli, provat materiale apo sendet që kërkohen, arsyet që lejojnë kontrollin, si edhe autoritetin që do të kryejë atë.
2. Kur ka arsye të bazuara se të dhënat, informacionet, programet informatike ose gjurmë të tyre, gjenden në një sistem informatik ose telematik, edhe kur ky është i mbrojtur nga masa sigurie, gjykata merr vendim për kontrollin, duke urdhëruar masa teknike të përshtatshme, të cilat sigurojnë ruajtjen e të dhënave origjinale dhe nuk lejojnë ndryshimin e tyre. Vendimi i kontrollit duhet të përcaktojë llojin e informacionit që kërkohet dhe mënyrën e marrjes së tij.
3. Gjykata vendos mbi kërkesën e prokurorit brenda 24 orëve. Kundër vendimit të mospranimit prokurori mund të paraqesë ankim në gjykatën e apelit brenda 24 orëve. Gjykata e apelit vendos mbi ankimin e prokurorit brenda 24 orëve nga paraqitja e tij.
4. Kontrolli duhet të përfundojë brenda 72 orëve nga momenti i marrjes së vendimit për kryerjen e tij.”
Neni 117
Në nenin 204 pika 2 ndryshohet si më poshtë: “2. Kontrolli bëhet duke respektuar dinjitetin dhe integritetin personal të atij që kontrollohet. Kontrolli i personit bëhet nga një person i të njëjtës gjini, me përjashtim të rasteve kur kjo nuk është e mundur për shkak të rrethanave.”
Neni 119
Neni 207 ndryshohet si më poshtë: “Neni 207
Sekuestrimi gjatë kontrollit
1. Sendet e gjetura gjatë kontrollit sekuestrohen,me kusht që të jenë të përcaktuara në vendimin për lejimin e kontrollit.
2. Sende të tjera të gjetura gjatë kontrollit, që nuk përfshihen në vendimin përkatës, por që lidhen me të njëjtën vepër penale, mund të sekuestrohen duke respektuar dispozitat për sekuestrimet.
3. Në rast se gjatë kontrollit zbulohen sende që nuk kanë lidhje me veprën penale për të cilat është dhënë vendimi i kontrollit, por që lidhen me një vepër tjetër penale që ndiqet kryesisht, sendet e zbuluara sekuestrohen.
4. Për sekuestrimet e kryera në kushtet e paragrafëve 2 dhe 3 të kësaj dispozite zbatohen kriteret e nenit 301 të këtij kodi.”
Neni 123
Pas nenit 211 shtohet neni 211/a si më poshtë̈: “Neni 211/a
Sekuestrimi në zyrat e shërbimeve informative
1. Kur lind nevoja e sekuestrimit të dokumenteve, akteve ose sendeve të tjera në zyrat e shërbimeve informative, veprimtaria e të cilave lidhet me sigurinë kombëtare, në arsyetimin e vendimit të sekuestrimit, gjykata, tregon në mënyrë sa më të detajuar dokumentet, aktet ose sendet objekt sekuestrimi.
2. Gjykata autorizon prokurorin për shqyrtimin e dokumenteve, akteve dhe sendeve që duhet të sekuestrohen, i cili merr vetëm ato që janë të domosdoshme për qëllimet e hetimit.
3. Kur ka arsye të bazuara për të besuar se dokumentet, aktet ose sendet nuk janë vënë në dispozicion ose janë të paplota, gjykata informon organin kompetent, i cili disponon dhënien e dokumenteve, akteve apo sendeve të tjera, ose konfirmon mungesën e tyre.
4. Kur lind nevoja të merret origjinali ose kopja e një dokumenti, akti ose sendi të krijuar nga një shërbim informativ i huaj, i dhënë me kushtin e mospërhapjes së tij, shqyrtimi dhe dorëzimi pezullohen. Objekti i dërgohet menjëherë organit kompetent, me qëllim komunikimin me autoritetin e huaj për të vendosur lidhur me ruajtjen e mëtejshme të sekretit. Brenda 60 ditëve, organi kompetent autorizon dhënien e dokumentit, aktit ose sendit, ose konfirmon nevojën e ruajtjes së sekretit shtetëror.
5. Në rast se organi kompetent nuk shprehet brenda afatit të parashikuar në paragrafin 4, gjykata urdhëron marrjen e dokumentit, aktit ose sendit objekt i sekuestrimit.
Redaksia Online
Al.N/Shqiptraja.com