Vetëm 1% janë çështjet e korrupsionit të gjykuara tek Gjykata e Kimeve të Rënda për vitin 2014. Kështu deklaroi Sandër Simoni, kryetar i Gjykatës së Krimeve të Rënda i ftuar në studio në A1 Report.
 
Sipas tij për 2014 trafiku i drogës ka zënë 59 % të volumit të punës të gjyqtarëve të Krimeve të Rënda, duke lënë në vend të dytë vrasjet për shkak të marrëdhënieve familjare dhe vrasjet për gjakmarrje me 14 % dhe në vend të tretë gjobëvëniet me 12.2 për qind. 

"Në kompetencat e kësaj Gjykate janë përfshirë dhe çështjet e korrupsionit. Gjatë vitit 2014 është shqyrtuar vetëm një çështje, pasi ky ka qënë një ndryshim i kohëve të fundit, hyri në fuqi vetëm verën e viti të kaluar. Sa i përket çështjeve të korrupsionit kjo varet dhe nga aftësia e prokurorisë për të ndjekur këto çështje. Ne besojmë që kalimi i tyre në këtë gjykatë mund të jap një impakt të ri. Kemi një gjyqtar që është shpallur fajtor dhe tani kemi në gjykim një kryetar komune”, deklaroi Simoni. 

 PDF/ Analiza e Gjykatës së Krimeve të Rënda

Kryetar i Gjykatës së Krimeve të Rënda tha se në gjykime kanë zënë vend shumë të madh personat e akuzuar për trafik narkotikësh, 135 të pandehur, pastaj në vend të dytë vijnë të pandehurit të akuzuar për “vrasje për cilësi të veçanta të viktimës”, 16 të pandehur. I pyetur për gjykimet e shkurtuara, Simoni tha se është kundër kësaj pasi në Gjykatën e Krimeve të Rënda janë çështje të ndjeshme. Megjithatë ai tha se dhe kjo gjykatë për vitin 2014 ka bërë rreth 73 % gjykime të shkurtuara. 

 
Në analizën e kësa Gjykate ministri i Drejtësisë, Nasip Naço nënvizoi jo vetëm nevojën e kthimit të besimit të publikut tek gjykatat, por edhe domosdoshmërinë për reformë. 

nasip naco
“Problemi tjetër është reformimi i KLD-së. Gjendja e sistemit gjyqësor ka evidentuar mangësitë dhe mungesë në efiçencë të KLD-së. Gjithashtu, duhen dhe ndryshime të tjera në Konferencën Gjyqësore apo reformimi i zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm. Kjo nuk është thjesht një dëshirë e ministrit të Drejtësisë, por ka dalë nga diskutimet në disa tryeza”, deklaroi Naço. 
 


Redaksia Online
(g.f/Shqiptarja.com)