"Ky është 'muri im i zgjerimit': kemi grupin e vendeve që kryesojnë, me Malin e Zi dhe Shqipërinë, të ndjekura nga Moldavia dhe Ukraina. Në mes kemi vende me të cilat ende nuk kemi filluar: Bosnjë-Hercegovinën, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa më pas kemi rastin e Serbisë. Këtë vit po arrijmë më shumë rezultate në zgjerim sesa gjatë 25 viteve të fundit."

Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, sllovenia Marta Kos, është takuar me Corriere della Sera në prag të prezantimit të 6 tetorit në Strasburg, të propozimit për rishikimin e politikës së zgjerimit.

"Tani është vërtet momenti i duhur që liderët ta diskutojnë këtë në Këshillin Evropian të mesit të tetorit."

Në një nga muret e zyrës së Kos ndodhet një tabelë magnetike ku janë vendosur vendet kandidate dhe "cluster"-at, grup-kapitujt që shtetet duhet të përmbushin për të përfunduar procesin e anëtarësimit.

Sipas disa vëzhguesve, vrulli për zgjerimin do të zgjasë deri në fund të vitit. A po mbyllet kjo dritare mundësie?

"Kjo dritare mundësie do të qëndrojë e hapur edhe për pak më gjatë. Por duhet të kemi parasysh se vitin e ardhshëm do të kemi zgjedhje në katër vende të mëdha, përfshirë Italinë. Ekziston një orë gjeopolitike: Evropa nuk mund t'ia lejojë vetes një boshllëk në fqinjësinë tonë për shkak të luftës së Rusisë, paqëndrueshmërisë në Ballkanin Perëndimor dhe konkurrencës për ndikim, përfshirë atë me Kinën. Pastaj ekziston edhe ora që bazohet te merita dhe te reformat që u kërkojmë vendeve kandidate. Ato duhet të japin rezultate, por edhe ne duhet të japim rezultate. Kur një vend t'i plotësojë të gjitha kriteret, siç ka të ngjarë të ndodhë me Malin e Zi në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm, do të duhet të shohim se si ta vendosim në kushtet që të bëhet anëtar i BE-së." thotë Kos.

A do të arrijë Ukraina të hyjë në BE vitin e ardhshëm?

"Data 1 janar 2027 është përcaktuar nga presidenti Zelensky. Anëtarësimi bazohet në parimin e meritës: është e qartë se kjo datë nuk është e mundur. E kuptoj që Kievi dhe shumë të tjerë e shohin anëtarësimin në BE si një garanci sigurie. Lufta në Ukrainë ka ndryshuar gjeopolitikën në Evropë dhe një nga pasojat është se zgjerimi është rikthyer si prioritet, jo vetëm për Ukrainën, por edhe për të tjerët. Nuk ka privilegje dhe as lehtësime në procesin e anëtarësimit, por duhet të kemi parasysh se Ukraina po zhvillon një luftë për mbijetesë dhe pikërisht për këtë arsye është edhe detyra jonë ta ndihmojmë. Shpresoj që deri në fund të vitit të hapen sa më shumë grup-kapituj të jetë e mundur."

Cilat janë pikat që duhet të diskutohen nga liderët?

"Janë katër: ndikimi i zgjerimit mbi shtetet aktuale anëtare; reformat e brendshme që BE-ja duhet të bëjë për të qenë më efikase me një numër më të madh anëtarësh; masat mbrojtëse, pra mënyra se si të mbrohemi për të siguruar që anëtarët e rinj të respektojnë shtetin e së drejtës dhe demokracinë edhe pasi të anëtarësohen në BE; si dhe idetë për thellimin e integrimit gradual të përforcuar" tha Kos

A nuk rrezikon integrimi gradual të shndërrohet në një sallë pritjeje pa fund?

"Nuk e shoh këtë rrezik. Integrimi gradual mund të përdoret vetëm për vendet kandidate që po punojnë qartësisht për t'u bërë anëtare me të drejta të plota të BE-së, por që kanë nevojë për më shumë kohë. Ai nuk është zëvendësues i anëtarësimit. Procesi i bazuar në meritë është shumë kërkues: shteti i së drejtës, konvergjenca ekonomike, zbatimi i të gjithë acquis-së së BE-së. Dhe nuk ka rrugë të shkurtra. Ne ofrojmë më shumë Evropë përpara anëtarësimit, por vetëm kur ka më shumë meritë" tha Kos

Pse kjo rrugë?

"Nëse nuk do të jemi në gjendje të integrojmë fqinjësinë tonë, kundërshtarët tanë – unë i quaj forca të jashtme destabilizuese – do të shkojnë dhe do t'i marrin ata" thotë Kos.

Serbia është një problem. Pas funeralit të Mlladiçit, ju anuluat një vizitë në Beograd.

"Serbia ka një rol qendror për stabilitetin e Ballkanit. Kur Beogradi kërkoi anëtarësimin në BE, u angazhua të përvetësonte standardet, parimet dhe vlerat evropiane. Por glorifikimi i kriminelëve të luftës, mohimi i gjenocidit dhe revizionizmi që pamë në funeralin e Ratko Mlladiçit bien ndesh me vlerat evropiane.  Prandaj Serbia duhet të vendosë se sa seriozisht e ka rrugën evropiane, jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra, dhe do të shohim se çfarë do të ndodhë në zgjedhje" tha Kos

Çfarë roli po luan Italia në procesin e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor?

"E vlerësoj shumë atë që po bën Roma në grupin e Miqve të Ballkanit Perëndimor dhe për procesin e zgjerimit në përgjithësi. Italia, si një vend themelues i BE-së, luan një rol vendimtar, duke pasur marrëdhënie vërtet të shkëlqyera me vendet e asaj zone. Nacionalizmi po rikthehet në këto vende dhe kjo ndikon në shpejtësinë me të cilën mund të ecë përpara zgjerimi. Apeli im për veprim është që duhet të angazhohemi më shumë politikisht. Unë jam përgjegjëse për pjesën teknike, por pa mbështetjen e liderëve politikë në Evropë nuk mund të ecim përpara në procesin e anëtarësimit dhe Italia luan këtu një rol shumë të rëndësishëm."

Tridhjetë shtete anëtare janë shumë. Si duhet të reformohet BE-ja?

"Në rishikimin e para-anëtarësimit do të prezantojmë disa ide për të thjeshtuar procedurat tona të vendimmarrjes. Komisioni Evropian mbështet kalimin nga unanimiteti te votimi me shumicë të cilësuar në politikën e sigurisë dhe të mbrojtjes. Do të jetë e vështirë, por mendojmë se do të ishte diçka e mirë. Pastaj, një mundësi tjetër është edhe ajo që kemi parë me huanë për mbështetjen e Ukrainës: që një grup vendesh të ecë përpara. Më pas janë klauzolat 'passerelle'. Për më tepër, Traktatet lejojnë që të kemi një numër më të vogël komisionerësh, konkretisht sa dy të tretat e numrit të përgjithshëm të shteteve anëtare." /CorrieredellaSera