TIRANE- Kompania turke Çalik pritet të hyjë edhe në tregun kosovar, me privatizimin e ndërmarrjes së shpërndarjes së energjisë elektrike në vend. “Çalik Holding”, ku dhëndri i kryeministrit Erdogan Berat Albayrak është drejtor i përgjithshëm, në konsorcium me “Limak Holding”, mund të shpallet nga Qeveria e Kosovës pronar i Kompanisë së Distribucionit dhe Furnizimit të Energjisë Elektrike, shkruan gazeta “Zëri”. Dy korporatat turke i kanë ofruar Qeverisë së Kosovës një shumë prej vetëm 26.3 milionë eurosh për blerjen e këtij aseti publik.

“Çalik Holding” e “Limak Holding”, fillimisht kishin aplikuar veç e veç vitin e shkuar për blerjen e kësaj njësie të Korporatës Energjetike të Kosovës por ishin bashkuar tek në muajin prill të këtij viti kur Qeveria e Kosovës kishte vendosur për shtyrjen e afatit për aplikim në procesin e privatizimit të distribucionit.

Kompania Çalik në Shqipëri është angazhuar me kohë me investime, duke u bërë pronare e Bankës Kombëtare Tregtare, Albtelecomit dhe kompanisë së telefonisë së lëvizshme Eagle Mobile.