Kosovë, ligji për Amnistinë
dërgohet në Gjykatën Kushtetuese

Kosovë, ligji për Amnistinë<br />dërgohet në Gjykatën Kushtetuese
TIRANE- Deputetë të Grupit parlamentar të Vetëvendosjes, ata të Lëvizjes për Bashkim dhe deputeti Emin Gërbeshi, dorëzuan sot kërkesën lidhur me vlerësimin e kushtetueshmërisë së Ligjit për Amnistinë në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, tha se po i përdorin të gjitha mjetet ligjore, juridike dhe institucionale në këtë rast edhe Gjykatën Kushtetuese për të kundërshtuar marrëveshjen Thaçi-Daçiç dhe dëmet që rrjedhin prej saj.

“Pra, sot ne dërguam Projektligjin për Amnisti në Gjykatën Kushtetuese, i cili projektligj rrjedh si pasojë ose si rezultat i marrëveshjes Thaçi-Daçiç për vlerësim të kushtetetshmërisë. Kërkesës sonë iu bashkëngjitën edhe dy deputetët e Lëvizjes për Bashkim, Agim Kuleta dhe Aurora Bakalli, si dhe deputeti i pavarur Emin Gërbeshi. Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, thuhet që brenda tetë ditëve, dhjetë deputet mund ta kontestojnë në aspektin përmbajtësor dhe procedural çdo projektligj. Ndaj ne e kontestuam këtë projektligj në dy aspekte: në atë përmbajtësor, për shkak se me miratimin e këtij projektligji u shkelën të drejtat e njeriut, pra u shkel Kushtetuta e Republikës së Kosovës Neni 31, 32 dhe 24, barazia përpara ligjit. Pra, projektligji i cili ia pamundëson shfrytëzimin e mjeteve të efektshme juridike palës së dëmtuar në rastin kur në veprat të cilat janë amnistuar janë cenuar të drejtat e tyre”, ka thënë Haxhiu.

Sipas saj, përveç Kushtetutës së Republikës së Kosovës, me miratimin e këtij projektligji u shkel edhe Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, konkretisht Neni 6, 8, 13 dhe 14. Kështu edhe në aspektin procedural, për shkak të shkeljeve flagrante që iu bënë Rregullores së Punës vetëm dhe vetëm për t’i akomoduar kështu interesat e Daçiçit.

“Ne besojmë që Ligji për Amnisti, është ligji më i dëmshëm që është miratuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës pas Ligjit për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare në mes Kosovës dhe Serbisë”.

Haxhiu ka sqaruar se Vetëvendosje është për një Ligj për amnistinë, sikurse e kanë dhe shumë vende të Bashkimit Europian.

“Jemi për një Ligj për Amnistinë sepse të drejtën për amnisti nuk mund t’ua mohojë askush të burgosurve tanë. Jemi për amnistinë, ku personat që hetohen, gjykohen dhe dënohen, shteti të mund të tregohet human dhe t'i amnistojë. Pra, një pjesë e dënimit 20%, 25% ose 30%, mirëpo ne kundërshtojmë fuqishëm këtë aktualin, i cili ka për qëllim, ose objekt trajtimi amnistimin e personave nga ndjekja penale dhe vuajtja e plotë e dënimit”, ka thënë Haxhiu.

Marrë nga "RTK"

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024