Kosovë, në nëntor pritet të
fillojnë negociatat për MSA-në

Kosovë, në nëntor pritet të<br />fillojnë negociatat për MSA-në
PRISHTINE- Të gjitha institucionet relevante që do të jenë të përfshira në procesin e negociatave për MSA-në kanë dorëzuar tashmë raportet e tyre me përgatitjet fillestare negociuese. Zëvendësministri i Integrimit Europian, Gëzim Kasapolli tha për "Radio Kosovën" se pas përpilimit të dokumentit final nga ana e Ministrisë së Integrimit si koordinatore e procesit, në muajin nëntor pritet të fillojnë negociatat për MSA-në, për të përfunduar në pranverë.

20 gushti ka qenë afati i fundit që institucionet përgjegjëse në vend të përgatisin pozicionet fillestare negociuese për MSA-në. Këtij afati i janë përgjigjur të gjitha institucionet tha Zëvendësministri i Integrimit, Gëzim Kasapolli, duke shpjeguar për angazhimet aktuale deri në fillimin e negociatave në vjeshtë të këtij viti:

“Ne i kemi marrë të gjitha raportet nga institucionet relevante që kanë të bëjnë me MSA dhe në këto raporte është theksuar qartë pozicioni negociues fillestar që ne si Ministri e Integrimit po e luajmë rolin e koordinatorit dhe jemi duke e përpiluar një dokument i cili do të jetë një bazë e shëndoshë e negocimit i cili shpresojmë se do të fillojë diku kah muaji nëntor. Bazuar mbi këto fakte të cilat i kemi në tryezën tonë ne e kemi hartuar direktivën tonë negociuese dhe bazuar në atë se çfarë do të pranojmë nga KE-ja ne do të bëjmë edhe një vlerësim i cili do të jetë në përputhje me direktivën që do ta pranojmë nga institucionet e BE-së”, tha ai.

Për faktin se institucionet e Kosovës janë të përgatitura mirë për negociata, pajtohet edhe Emrush Ujkani njohës i integrimeve europiane, bazuar në faktin se që nga viti 2003 Kosova është pjesë e këtij procesi.

“Kjo është diçka e mirë, por nuk duhet të ndalemi me kaq, procesi tani vetëm sa fillon dhe institucionet tona përveç përgatitjeve duhet të tregojnë edhe një profesionalizëm adekuat me qëllim që ketë proces ta negociojnë në mënyrën më të mirë të mundshme edhe në kuptimin e kursimit të kohës edhe ne kuptimin e përfitimit nga një proces i tillë”, tha ai.

Ujkani thotë se negociatat për MSA fokus kryesor do ta kenë aspektin tregtar, pasi mbi 80 për qind e negociatave kanë të bëjnë me këtë fushë:

“Të negociojmë mirë, ta mbrojmë sektorin tonë privat, sepse tash për tash ashtu siç qëndrojmë gjërat ekonomia jonë nuk mund të themi se është e konkurueshme jo vetëm me ato të BE-së por edhe me të rajoni dhe këto duhet të jenë në fokus gjatë negociimit për MSA-në”, tha ai.

Ndërsa sa i përket afatit vjeshtë-pranverë, që institucionet e Kosovës e kanë përcaktuar për përfundimin e këtyre negociatave, njohësi i integrimeve Emrush Ujkani konsideron se gjithçka varet nga puna e vetë institucioneve.

“Negociimi i marrëveshjes nuk ka një afat të përcaktuar, në asnjë vend tjetër në rajon nuk ka ndodhur, nuk mundet me thanë që afati i negociimit është kjo periudhë. Afatin ose ritmin e negociatave e përcaktojmë ne”, theksoi Ujkani.

Pas përfundimit të negociatave, me nënshkrimin e MSA mes Kosovës dhe BE-së, hapi i parë duhet të jetë zbatimi i marrëveshjes dhe në një të ardhme të afërt Kosova mund të synojë për aplikimin për marrjen e statusit të vendit kandidat i BE-së.

Marrë nga "RTK"

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024