Kosova bëhet me Muze të Gjenocidit dhe Përpjekjes për Liri

Kosova bëhet me Muze të Gjenocidit dhe Përpjekjes për Liri

Ministria e Kulturës në Prishtinë, ku pritet të vendoset Muzeu

Qeveria e Kosovës ka miratuar themelimin e një Muzeu të Gjenocidit dhe Përpjekjes për Liri, me qëllim “dokumentimin dhe prezantimin e krimeve të ish-Jugosllavisë dhe të Serbisë ndaj shqiptarëve dhe të tjerëve në Kosovë”.

Në një mbledhje të Qeverisë, të mbajtur të mërkurën, u tha se objektivi kryesor është “krijimi i një institucioni publik, përkujtues dhe prezantues të historive dhe përvojave nën pushtimin e Serbisë dhe të Jugosllavisë”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se muzeu "është institucionalizimi i kujtesës sonë kolektive dhe dëshmi, sa e krimeve monstruoze të Serbisë gjenocidale, aq edhe dëshmi se Republika e Kosovës edhe ka ngadhënjyer, edhe nuk harron”.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Kosovës, Hajrulla Çeku, tha se muzeu i ri “synon edukimin, përkujtimin dhe nderimin e brezave” dhe “prezantimin e përjetimeve të të mbijetuarve, që historitë e tyre të mos harrohen”.

Muzeu, shtoi ai, “synon paqen e qëndrueshme, duke u siguruar që e kaluara e dhunshme të jetë e dëshmuar, të kujtohet dhe të mos përsëritet”.

Çeku ka thënë se ky muze do të themelohet fillimisht si njësi e veçantë në kuadër të Muzeut Kombëtar të Kosovës.

Pas hyrjes në fuqi të Ligjit për muzetë, ai pritet të shndërrohet në institucion të pavarur muzeor të nivelit kombëtar.

Institucioni i muzeut synohet të vendoset në ndërtesën ku aktualisht vepron MKRS, në sheshin “Nënë Tereza”, në Prishtinë.

Propozimi për themelimin e muzeut u mbështet nga të gjithë ministrat e pranishëm në mbledhje, me përjashtim të atij për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, i cili abstenoi në votim.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë më 1998-'99 janë vrarë mbi 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.

Mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë./REL

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Dita Kombëtare e Diasporës/ Ministri Balla: Duhet t'i garantojmë çdo fëmije me prindër shqiptarë që të mësojë shqipen

Dita Kombëtare e Diasporës/ Ministri Balla: Duhet t'i garantojmë çdo fëmije me prindër shqiptarë që të mësojë shqipen