-Kryetari Veseli takoi zëvendëskryeministrin e Maqedonisë, Musa Xhaferin-
PRISHTINË, 19 Janar /ATSH/.-Kryetari i Kuvendit të Republ0ikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka takuar sot zëvendëskryeministrin e Republikës së Maqedonisë, Musa Xhaferi.
Takimi u fokusua në raportet shumë të mira në mes të dy vendeve fqinje dhe u fol për bashkëpunimin në fushën e ekonomisë, arsimit, shëndetësisë dhe fushave tjera me interes të përbashkët.
Kryetari i Kuvendit  të Kosovës, Veseli, e falënderoi Xhaferin për angazhimet ndërshtetërore, duke ditur se rruga e dy vendeve tona, Kosovës dhe Maqedonisë, lëviz drejt të njëjtit cak, eurointegrimeve, që në rend të parë nënkupton edhe vlerat, si mirëqenia e qytetarëve, stabiliteti politik dhe vlerat demokratike, thekson njoftimi zyrtar.
Ndërsa Xhaferi vuri në dukje se ka përkushtim për realizimin e axhendës së dy vendeve respektive, duke filluar nga bashkëpunimi rajonal dhe fqinjësor, që nënkupton frymën e bashkëpunimit politik dhe ekonomik si vlera që aspirojmë, drejt integrimeve euroatlantike.
"Bashkëpunimi rajonal, me theks të veçantë ekonomik, mbetet prioritet për ngritjen e mirëqenies së qytetarëve dhe vendeve tona, duke ditur edhe mundësitë e pranisë së produkteve kosovare në Maqedoni. Rruga e përbashkët e eurointegrimeve, është rrugë e mirëkuptimit, paqes, stabilitetit dhe mirëqenies së qytetarëve të dy vendeve tona", theksoi kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli../b.j/./i.v/