/ATSH-B.Jashari/.-Kuvendi i Kosovës po zhvillon sot seancën e veçantë plenare për shënimin e 27 Prillit - Ditës së Personave të Zhdukur, ku u tha se "moszbardhja e fatit të tyre bën që Kosova të mbetet dosja e madhe e krimit të pandëshkuar".
"Zbardhja e fatit e vendndodhjes së personave që na mungojnë si pasojë e agresionit nga lufta e fundit në Kosovë vazhdon të jetë prokupim i përbashkët i familjarëve, institucioneve e qytetarëve të Republikës së Kosovës", tha kryetarja e Komisionit parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore dhe Persona të Pagjetur, Lirije Kajtazi, në seancën e Kuvendit, ku foli edhe Bajram Qerkini, përfaqësues i familjeve të të zhdukurve.
Pas seancës, në oborrin e Kuvendit të Kosovës, kryetari Kadri Veseli do të bëjë zbulimin e Përmendores "Atyre që na mungojnë", dedikuar personave të zhdukur që nga lufta e vitit 1999 në Kosovë, ndërsa në Mejë të Gjakovës bëhen homazhe në 16 vjetorin e masakrës, ku do marrë pjesë edhe kryeminsitri Isa Mustafa.
Kryeministri Mustafa deklaroi sot se "Serbia duhet të japë përgjigje për zhdukjen e njerëzve tanë, për krimet monstruoze që forcat ushtarake e paramilitare të saj i kryen në Kosovë. Ata që bënë krime duhet të dalin para drejtësisë".
Në Ditën e të Zhdukurve të Kosovës , në 27 prill 1999, para 16 vitesh, në Mejë të Gjakovës, në Lëndinën e Pikëllimit, forcat serbe masakruan e zhdukën 377 shqiptarë që i rrëmbyen nga kolona e refugjatëve.
Asnjëri nga të ndaluarit në rrethimin e hekurt të kolonës së civilëve nuk kishte arritur të dilte i gjallë. Ajo ishte një nga kolonat e shumta të spastrimit etnik, të rreth 1 milion shqiptarëve të dëbuar nga Kosova, shumica drejt Shqipërisë.
Në Kosovë, 16 vjet pas luftës, janë ende mbi 1650 të zhdukur.
Në vigjilje të 27 Prillit - Ditës së të Pagjeturve të Kosovës, që nga 21 prilli organizohet shënimi i "Javës për Personat e Pagjetur", me përkrahjen e Kryetarit të Kuvendit të Republikës, Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, në bashkëpunim me Komisionin Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur e Peticione dhe me Shoqatat Familjare të Personave të Zhdukur.
Ndërkohë, vazhdon kërkimi i të zhdukurve të Kosovës në varreza masive në Serbi. Gjatë operacionit të zhvarrosjes, i cili ka zgjatur 2 muaj në Rudnicë të Rashkës - prej prillit deri në qershor 2014, janë gjetur mbetjet e gjithsej 54 personave. Mendohet se atje janë groposur, në përpjekje për të fshehur gjurmët e krimeve, së paku 250 shqiptarë të vrarë e të masakruar në Kosovë.
Në 17 prill 2015 në fshatrat Çikatovë dhe Gllanasellë të Gllogovcit u varrosën mbetjet e 21 personave të gjetura në Rudnicë, të cilat Departamenti i Mjekësisë Ligjore ua ka dorëzuar javën e kaluar familjeve të tyre.
Në luftën e para mëse 16 viteve kundër Kosovës, në fushatën e terrorit, spastrimit etnik e gjenocidit, forcat serbe të Milosheviçit, i njohur edhe si Kasapi i Ballkanit, i cili më pas ka përfunduar në Tribunalin për Krime Lufte në Hagë, kanë vrarë më shumë se 12.000 shqiptarë, kanë dëbuar rreth një milion, shumicën drejt Shqipërisë dhe kanë djegur mëse 400 qytete dhe fshatra. Në Kosovë pas luftës kanë rezultuar 5.650 persona të zhdukur.
Kosovarë të rrëmbyer e të zhdukur nga forcat serbe gjatë luftës pas përfundimit të saj janë gjetur edhe në burgjet e Serbisë dhe janë liriuar me ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar.
Kosova vazhdon të kërkojë zbardhjen e fatit të qytetarëve të saj të zhdukur dhe me këtë mesazh fotografitë e të pagjeturve janë vendosur e rivendosur nga familjarët në rrethinat e Kuvendit e Qeverisë kosovare, në sheshin qendror të Prishtinës./k.s/