Snezhana Paunoviç

Kosova ka shpallur person “të padëshirueshëm” dhe i ka ndaluar përherë hyrjen apo kalimin në vend ministres serbe Snezhana Paunoviç, pasi ajo tha ditë më parë se do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën” në vitin 1998, njoftoi të martën ministri i Brendshëm në detyrë i Kosovës, Xhelal Sveçla.

Sveçla njoftoi vonë të martën në Facebook se e ka nënshkruar vendimin për t’ia ndaluar përgjithmonë hyrjen në Kosovë apo kalimin nëpër të ministres serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale.

Ai tha se me deklaratat e saj, Paunoviç e ka “ritheksuar atë nga e cila Serbia nuk ka hequr dorë asnjëherë, projektin e spastrimit etnik të shqiptarëve”.

“Në epokën tonë, kjo u tentua nga ish-shefi i saj Sllobodan Millosheviq, i njohur edhe si kasapi i Ballkanit”, shkroi Sveçla.

Ai shtoi se “çdo përpjekje për të ringjallur ideologjitë e spastrimit etnik apo për të kërcënuar Republikën e Kosovës do të përballet me përgjigje të vendosur, ligjore dhe institucionale”.


Lajmi kryesor:

‘Do ta kisha spastruar etnikisht Kosovën’, Prishtina shpall ‘Non Grata’ ministren serbe! BE dhe Shqipëria dënojnë deklaratën: E papranueshme! Hoxha: Pajtimi s'ndërtohet mbi mohimin e krimeve