Kosova e shpenzon
buxhetin për import

Gati një miliardë euro para vetëm të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK), edhe më tutje vazhdojnë të jenë në funksion të zhvillimit të ekonomive të shteteve të fuqishme evropiane, por edhe më gjerë.
Përveç këtyre, edhe 500 milionë euro para të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) të grumbulluara nga shitja e Ndërmarrjeve Shoqërore (NSH) në Kosovë, po ashtu gjenden të deponuara në banka të fuqishme evropiane, me norma qesharake interesi, ku nga to shteti thuajse fare nuk fiton asgjë.
Njëmiliardëshi i FKPK-së, është kontribut direkt i më shumë se 450 mijë qytetarëve të Kosovës, ku nga paga e tyre ata ndajnë nga 5 për qind për pension të pleqërisë. Por, nga këta të fundit nuk është marrë ndonjë aprovim se si duan t’i menaxhojnë paratë e tyre.
Ndërkaq 500 milionë eurot e AKP-së, kryesisht janë “kapital” i bankave të huaja që operojnë në vendin tonë. Këto të fundit u kanë dhënë kredi biznesmenëve kosovarë për të blerë NSH në Kosovë.
Këta (biznesmenët) një kohë u turrën pas blerjes së NSH-ve. Një pjesë e tyre, paratë i kanë siguruar nga puna, apo biznesi në shtete të ndryshme evropiane, por pjesa dërmuese e tyre paratë për të blerë prona i kanë marrë kredi nëpër bankat komerciale në vend me norma shumë të mëdha interesi.
Nuk shkoi shumë kohë kur një pjesë e madhe e tyre falimentuan. Nuk patën mundësi as të kthejnë kreditë, por as të zhvillojnë ndërmarrjet, por vetëm kontribuuan që disa mjete nga bankat e Kosovës përmes AKP-së t’i dërgojnë jashtë shtetit.
Por, në anën tjetër, Kosova edhe më tutje përballet me probleme të mëdha ekonomike, pasi që e tërë ekonomia është e varur nga importi.
Të gjitha paratë po nxirren jashtë shtetit duke blerë produkte ushqimore e joushqimore, kryesisht në Serbi, Maqedoni, por edhe vende tjera të rajonit, apo edhe më gjerë.
Nga krijimi i fondit pensional pjesa dërmuese e parave kanë përfunduar në menaxhim të kompanive të ndryshme botërore, ku nga to qytetarët thuajse nuk kanë fituar asgjë. Nuk kanë munguar rastet kur edhe ata i kanë zvogëluar fondet e tyre si pasojë e rënies së bursave. Mirëpo, të gjitha këto kanë kaluar thuajse në heshtje.
Është folur shumë e nuk është vepruar hiç.
Më 4 korrik të këtij viti sipas të dhënave zyrtare FKPK-ja ka arritur të grumbullojë nga qytetaret hiç më pak se 1 miliardë e 2 milionë euro. E në anën tjetër, po ashtu sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave shihet shumë qartë se borxhi publik i Kosovës ka shënuar një rritje të dukshme duke arritur në 507 milionë euro.
Nga kjo shumë 317 milionë euro i përkasin borxhit të jashtëm të Kosovës, e ndërkaq 189 milionë tjera konsiderohet si borxh i brendshëm.
Të dhëna jonormale dhe shumë paradoksale për situatën në të cilën gjendet Kosova. Por, situata ekonomike në vendin tonë do të keqësohet edhe më shumë me fillimin e ndërtimit të autostradës që lidh Prishtinën me Shkupin ku për këtë projekt buxheti i shtetit do t’i shpenzojë hiç më pak se 600 milionë euro, por në këtë shumë nuk hyn edhe shpronësimi i tokave kah do të kalojë autostrada.

 

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Kur fjala ‘strehë’ humb kuptimin! Mjerim në familjen Abazaj në Selenicë! 3 fëmijët mes lotëve: Kemi ftohtë, duam shtëpi të re

Kur fjala ‘strehë’ humb kuptimin! Mjerim në familjen Abazaj në Selenicë! 3 fëmijët mes lotëve: Kemi ftohtë, duam shtëpi të re