Dy nga tre personat e arrestuar në Kosovë për mbishkrimin "Kosova është Serbi" janë pjesëtarë të Ushtrisë së Malit të Zi. Konfirmimi erdhi të mërkurën nga ministri i Mbrojtjes në Mal të Zi, Dragan Krapoviç.
"Momentalisht, të dy janë me pushim mjekësor dhe bëhet fjalë për pjesëtarë të mirë dhe shembullorë të ushtrisë", tha Krapoviç në një komunikatë.
Policia e Kosovës arrestoi tre persona nga Nikshiçi për shkak se targat e automjetit me të cilin kishin shkuar në manastirin e Deçanit më 24 nëntor, mbanin mbishkrimin "Kosova është Serbi".
Gjykata Themelore në Pejë urdhëroi një muaj paraburgim për Rajko Krivokapiç (34 vjeç), Marinko Jovanoviç (24 vjeç), dhe Dragutin Llallatoviç (24 vjeç).
Prokurori në Pejë i akuzon ata për veprën penale "nxitje të urrejtjes dhe mosdurimit".