PRISHTINË, 21 Qershor /ATSH-B.Jashari/.-Kosova hapi sot fushatën për regjistrimin e diasporës Ti je pjesë e atdheut - Regjistrohu edhe ti.
Aktiviteti, ku mori pjesë edhe Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, u organizua nga Ministria e Diasporës dhe u mbështet nga UNDP/IOM.
Në Sheshin Nëna Terezë në Prishtinë me një aktivitet solemn përfaqësues të institucioneve dhe donatorëve prezantuan axhendën e kësaj fushate për dy muajt e ardhshëm. Ministri i Diasporës në qeverinë e Kosovës, Valon Murati, ka ftuar të gjithë pjesëtarët e diasporës dhe mërgatës për pjesëmarrje në Regjistrin e Mërgimtarëve.
Sipas regjistrimit të popullsisë të pranverës 2011, në Kosovë, pa veriun, u numëruan 1.739. 825 banorë rezidentë, 92.93 % shqiptarë. Pjesa tjetër e përqindjeve iu takon komuniteteve pakicë, 1.58% boshnjakë, 1.47% serbë, 1.08 % turqë, etj.
Por, numri i banorëve-shtetasëve të Kosovës është më i madh, meqë regjistrimi i popullsisë nuk ka përfshirë një të tretën e kosovarëve që vlerësohet se jetojnë e punojnë jashtë vendit./k.s/