Kjo e diel ka shënuar ditën e gjashtë ku pushues apo qytetarë të shumtë që duan të shkojnë në Kosovë, përballen me orë të tëra pritje në pikën kufitare të Morinës. Edhe këtë pasdite, në Morinë radha e automjeteve në pritje për të kaluar në anën tjetër të kufirit është kilometrike, ndërsa qytetarët shprehen se kanë orë të tëra që nuk lëvizin.
"Kemi tre orë që po presim. Nuk kemi ça bëjmë ", tha një qytetar
"Këto masa janë tepër, po na detyrojnë mos shkojmë më për pushime", u shpreh një tjetër.
Shumë shqiptarë të Kosovës po kthehen nga pushimet apo qëndrimet disa-ditore në bregdetin shqiptar duke bërë që fluksi i kalimit të mjeteve të jetë edhe më i madh këto ditë, ndërsa situata është rënduar për shkaka të kontrolleve dhe procedurave që po ndiqen në kufi si pasojë e masave antiCOVID
Edhe pse në doganën e Kosovës janë vendosur tre pika kontrolli shtese sërish radhët nuk janë shmangur.
Më herët, në një intervistë për 'Report Tv', Nexhmi Krasniqi, komandant i kufirit në Kosovë, tha se stafi është shtuar me 30 %, ndërsa theksoi se në këtë fluks ka edhe qytetarë të pandërgjegjësuar që edhe pse e dinë se duhet vaksinë apo test negativ, vijnë e thonë se po hyjnë në Kosovë për të ngrënë një drekë në Prizren.
Në këtë raste ata duhet të kthehen sqaroi Krasniqi për 'Report Tv', ose duhet të karantinohen për 7 ditë dhe kjo shkakton pritje më të gatë dhe radhë në kufi.
Për shkak të rritjeve të infektimeve me COVID-19, Kosova që nga 31 gushti ka futur në fuqi masat e reja të cilat do të zbatohen deri me datë 13 shtator. Të gjithë personat që do të futen në Kosovë, pavarësisht shtetësisë, do duhet të tregojnë dëshminë e vaksinimit apo teste PCR/antigen ose në të kundërtën duhet të izolohen për shtatë ditë.