Kosova, me të ardhura për frymë
më të ulëta se Afganistani

Kosova, me të ardhura për frymë<br />më të ulëta se Afganistani
PRISHTINË - Mesatarja e të ardhurave vjetore për frymë në Kosovë, sipas të dhënave zyrtare, është 2 701 euro, kurse konsumi i përgjithshëm tek ekonomitë familjare në vit është mbi 7 000 mijë euro apo mesatarisht rreth 600 euro në muaj.

Sa i përket konsumit të ekonomive familjare, pesë kategoritë kryesore përbëhen nga: ushqimi, banimi, transporti, veshmbathja, si dhe alkooli dhe duhani.

Të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë se sa i përket normës së rritjes reale të të ardhurave vjetore për banorë, Kosova ka të ardhurat më të ulëta në rajon, ndërkaq rritja reale e Bruto-Produktit të Brendshëm ka qenë më e shpejta në rajon përgjatë 10 vjetëve të fundit.

Ekspertë të çështjeve ekonomike konsiderojnë se kjo rritje ekonomike është e ulët dhe për të arritur vendet e rajonit Kosova duhet të ketë zhvillim më të hovshëm ekonomik.

“Niveli i rritjes ekonomike në Kosovë nuk është i mjaftueshëm për t’i adresuar problemet emergjente, me të cilat ballafaqohet shoqëria kosovare. Pra, ne e kemi një ekonomi që nuk performon si duhet, për pasojë nuk gjeneron mjaftueshëm vende pune për të absorbuar fuqinë punëtore, e që në mënyrë indirekte do të kishte ndikim në uljen e varfërisë dhe në ngushtimin e pabarazisë së shpërndarjes së të ardhurave”, vlerëson eksperti i ekonomisë Alban Hashani për Radion Evropa e Lirë.

Bruto-Produkti i Brendshëm sipas organizatave ekonomike në Kosovë, është vlerësuar se mund të shënojë rritje vetëm me fuqizimin e sektorit privat. Por, sidoqoftë, sektori privat vazhdon të ballafaqohet me probleme të shumta dhe pa përkrahje të duhur nga institucionet e vendit.

Alban Hashani konsideron se politikat ekonomike aktuale nuk janë duke shkuar në favor të sektorit privat dhe se rritja ekonomike është e bazuar në sektorin publik.

“Rritja ekonomike kryesisht është bazuar në shpenzimet publike dhe ky nuk është burim i qëndrueshëm i rritjes. Ne duhet të sigurohemi që investimet private të rriten. Sipas vlerësimeve të vitit të kaluar, investimet private jo që kanë shënuar ngecje në normën e rritjes, por kanë shënuar rënie në 2.2 për qind dhe, po ashtu, edhe të gjithë indikatorët që janë pjesë e GDP-së kanë rënie dhe për pasojë edhe rritja ekonomike nuk ka si del ndryshe”, vlerëson Hashani.

Në anën tjetër, profesori i ekonomisë, Isa Tahiri konsideron se të ardhurat vjetore për banorë janë të ulëta dhe mund të konsiderohen minimale për të jetuar një jetë me dinjitet.

“Me një fjalë, mund të konstatojmë se të ardhurat vjetore në Kosovë për banorë janë të ulëta. Në Afganistanin që është në luftë kanë të ardhura më të larta për banor, e ne në Kosovë 14 vjet pas luftës nuk mund të arrijmë një standard më të lartë të jetesës dhe të ardhura më të mëdha”, shton Tahiri.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024