BRUKSEL - Kosova mori sot në Bruksel Udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave. Dokumenti iu dorëzua ministres për integrime Vlora Çitaku nga komisionerja e BE-së Cecilia Molmstrom.

Udhërrëfyesi për Kosovën përmban 101 kritere, dyfish më shumë nga ato të vendeve të rajonit. Zyrtarët e BE-së kanë sqaruar se kjo është bërë në mënyrë që të mos përsëriten gabimet që janë bërë me shtetet e rajonit. Përfaqësuesit e delegacionit kosovarë janë shprehur optimist se Qeveria e Kosovës është e përgatitur dhe se do ti plotësojnë të gjitha kriteret e kërkuara.

Zyrtarët nga qeveria e Kosovës janë shprehur optimist se do të plotësojë pa asnjë problem të gjitha kriteret e kërkuara. Ministrja për integrim Vlora Çitaku ka thënë se marrja e udhërrëfyesit është fryt i punës së përgjithshme të institucioneve të Kosovës, por nuk ka përmendur ndonjë afat se për sa kohë do të mund të arrihet deri të liberalizimi i vizave.

Marrja e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave është përshëndetur menjëhre nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.
Presidentja e vlerëson këtë si hap të rëndësishëm të Komisionit Evropian dhe të vendeve anëtare që e kanë mbështetur këtë proces. Jahjaga shpreh gatishmërinë dhe përkushtimin e institucioneve të Kosovës që të vazhdojnë në përmbushjen e kritereve dhe obligimeve të përcaktuara në këtë udhërrëfyes, duke konsoliduar arritjet në të gjitha fushat në kuadër të agjendës evropiane të Republikës së Kosovës. Ajo vlerëson se vendimi i BE-së përçon një mesazh të qartë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se edhe ata, si të gjithë qytetarët e tjerë të rajonit të Ballkanit, gëzojnë perspektivën evropiane. Procesi i liberalizimit të vizave do të ndihmojë institucionet e Kosovës të thellojnë reformat në forcimin e institucioneve demokratike, në sundimin e ligjit si dhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.


/jd/rg/shqiptarja.com/