Kosova në 14 vjetorin e pavarësisë, në përpjekje për konsolidim ndërkombëtar të shtetësisë së saj

Kosova në 14 vjetorin e pavarësisë, në përpjekje për konsolidim ndërkombëtar të shtetësisë së saj

Kosova kremton të enjten 14 vjetorin e shpalljes së pavarësisë që është njohur nga mbi 100 vende të botës, por kundërshtohet nga Serbia dhe aleatët e saj.

Autoritetet kanë paraparë një varg manifestimesh të enjten për të shënuar këtë përvjetor, ndërsa analistët në Prishtinë thonë se përgjatë këtyre 14 viteve janë shënuar disa përparime në aspektet e brendshme dhe ndërkombëtare

“Mund të them që brenda këtyre 14 vjetëve është bërë një përparim për të mos e tepruar për të mos thënë përparim i jashtëzakonshëm sepse është periudhë shumë e shkurtër mirëpo duket sikur te qytetarët mbretëron bindja sigurisht me të drejtë se ka mundur të bëhet më shumë, ka mundur të investohet më shumë në luftimin e korrupsionit, në ndërtimin e një kulture të qeverisjes le të themi higjienike, qeverisjes me duar të pastra, qeverisjes që i bën qytetarët të ndihen rehat me këtë vend, i bën qytetarët që të shohin perspektivë dhe të ndërtojnë ambiciet e tyre brenda këtij shteti”, tha analisti Rrahman Paçarizi.

“Përparim të dukshëm ka pasur në kuptimin ekonomik, përmirësimin e infrastrukturës dhe tashmë kemi filluar njëfarë forme ri-industrializimin e Kosovës por mangësitë kanë qenë kryesisht ato që kanë qenë me shëndetësi, arsimin dhe me këto sektorë social”, thotë analisti Agon Maliqi.

Analisti Agon Maliqi thotë ndërkaq se në planin ndërkombëtar pati dy periudha të ndryshme gjatë këtyre 14 viteve që nga shpallja e pavarësisë.

“Do të thotë tani po bëhen 14 vjet dhe mund t’i ndajmë në dy shtatë vjeçar, ka qenë ai shtat vjeçari i parë ku Kosova ka përparuar vazhdimisht, ka pasur progres në konsolidimin ndërkombëtar qoftë në rritjen e njohjeve, përmes dialogut së Brukselit ku deri në atë mini fazë e favorizonte Kosovën, me integrimin të një pjese të strukturave paralele dhe faza pas vitit 2014 kur fillon një lloj teposhtëze e cila na ka sjellë në këtë pikën tash të një farë lloj vendnumërimi”, tha ai.

Analisti Rrahman Paçarizi thotë se marrëdhëniet me Serbinë shkaktojnë telashe por edhe shpenzojnë një pjesë të madhe të energjisë të qeverive që do të mund të përqendrohej në problemet e brendshme të vendit. Ai thotë se mosnormalizimi i marrëdhënieve me Serbinë ka ndikuar dhe do vazhdojë të ndikojë në ardhmërinë euro-atlantike të Kosovës.

“Zgjidhja është te arritja e një marrëveshjeje, jo domosdoshmërisht e shpejt por një marrëveshje cilësore e cila do t’i eliminonte përfundimisht telashet që i kanë Kosova dhe Serbia, telashet që i ka rajoni rrjedhimisht sepse kur në rajon ka probleme siç është ky ndërmjet Kosovës dhe Serbisë siç janë tensionet në Bosnje atëherë rajoni gjithmonë është i shqetësuar me një pasiguri, me një përkohshmëri e cila duhet të zgjidhet përmes një zgjidhjeje kualitative, jo patjetër të shpejtë”, tha zoti Paçarizi.

Kosova dhe Serbia janë përfshirë në bisedime të lehtësuara nga Bashkimi Evropian që nga viti 2011 për arritjen e një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, që për Kosovën nënkupton njohjen e ndërsjellë e që kundërshtohet nga Serbia.

Presidenti amerikan Joe Biden ritheksoi këto ditë në letrat dërguar presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani me rastin e përvjetorit të pavarësisë si dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, me rastin e ditës së shtetësisë së Serbisë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve, të përqendruar në njohjen e ndërsjellë.

Analisti Agon Maliqi thotë se në bisedimet Kosovë - Serbi ka mundësi të shmanget një lloj kompromisi paralizues dhe të ecet përpara drejt zhbllokimit të njohjeve nga pesë vendet evropiane dhe të hapet mundësia për anëtarësim në NATO.

“Po, mendoj që ka hapësirë, hapësirë të bollshme qeveria e sotme që të ec përpara, mendoj që pengesa kryesore është vetja e vet, ka hapësirë sepse rreth çështjes së dialogut përballet me një opozitë e cila ka treguar gatishmëri për të qenë konstruktive dhe për të bashkëpunuar pra për të mos e kthyer dialogun me Serbinë për debat dhe betejës politike, ka përparësi sepse e ka një kontekst ndërkombëtarë pak më të favorshëm se sa ka qenë në 4 apo 5 vitet e fundit me shtetet perëndimore pak më shumë të bashkërenduara me njëra tjetrën, me një agjendë diplomatike dhe nismë të re diplomatike, çështja është se këto gjëra duhet parë si përparësi dhe duhet të shfrytëzohen”, tha zoti Maliqi.

Analistët thonë se bashkërendimi i kohëve të fundit ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka hapur disa mundësi për të çuar bisedimet drejt një marrëveshje normalizimi dhe ky bashkërendim duhet shfrytëzuar nga Prishtina zyrtare./VOA

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Në orët e pasdites pritet shtim i vranësirave... si parashikohet moti për sot

Në orët e pasdites pritet shtim i vranësirave... si parashikohet moti për sot