PRISHTINË - Përfaqësuesja e Kosovës në futboll është pranë shkrimit të faqes më të ndritur të historisë së saj. Nesër në orën 20:45 në stadiumin 'Fadil Vokrri' të Prishtinës, Kosova luan kundër Turqisë në ndeshjen teke për finalen e play-off-it që të dërgon në grupet e Kupës së Botës 2026, event që këtë vit zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrik në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
Katër ditë më parë 'Dardanët' fituan 3-4 në Bratislavë kundër Sllovakisë, teksa kundërshtari i radhës është Turqia që ka 24 vite (në 2002 doli e treta në botë) që nuk merr pjesë në grupet e Kupës së Botës.
Në konferencën për mediet, trajneri i Kosovës, Franco Foda tha se ka besim te ekipi i tij, ndërsa shtoi se shanset për të kaluar më tej janë të barabarta.
“Ekipi i Turqisë është shumë i fortë edhe në aspektin e lojtarëve individual si Yildiz, Guler e Calhanoglu, janë kualitativ, por dhe ne jemi të mirë. Jemi në finale me plot meritë, gjasat për të kaluar më tej janë 50 me 50. Ne do të japim gjithçka për të fituar.
Intersi shumë i lartë - Padyshim që vërehet se është ngjarje shumë e rëndësishme. Kurrë s’ka pasur kaq shumë gazetarë. Po luajmë për kualifikimin në Kampionatin Botëror. Është mirë që jemi të motivuar, por ta mbajmë “kokën në vend", tha fillimisht trajneri gjerman i 'Dardanëve'.
Foda shtoi se i njeh dobësitë edhe forcën e Turqisë, si dhe që Kosova është e përgatitur për të gjitha mundësitë, përfshirë kohën shtesë dhe penalltitë.
"Natyrisht nuk do ta zbuloj taktikën që do ta zbatoj në lojë. E rëndësishme është që i njohim forcat dhe dobësitë e Turqisë. Nesër të përformojmë me idetë dhe parimet tona. Turqia është e fortë si në lojë ashtu edhe në kombinime. Loja e tyre bazohet në pasime të shkurtra, por me rëndësi është që kur ta kemi topin të kthehemi në kundërsulm", tha Foda.
Veç tij, për mediet foli edhe kapiteni Vedat Muriqi.
"Pas Pavarësisë mund të jetë lumturia më e mirë e shtetit tonë. Nuk dua t’i bëj presion bashkëlojtarëve apo vetës, por besoj te fitorja e pastaj të festojmë në shesh", tha mes të tjerash Muriqi.
Në rast se Kosova fiton kundër Turqisë, kryeministri Albin Kurti ka premtuar edhe 1 milion euro shpërblim për ekipin. Në total, shpërblimet e dhëna deri tani kapin shifrën e 750 mijë eurove. Për pjesëmarrjen në play-off futbollistëve dhe stafit iu akordua 250 mijë euro, ndërsa fitorja kundër Sllovakisë i shpërbleu edhe me 500 mijë euro të tjera.
Tanimë misioni historik për Kupën e Botës është në lojë dhe Kurti i ka motivuar të tijtë me një shpërblim rekord prej 1 milion eurosh për 'kokën' e Turqisë. Vetë kryeministri ka takuar dje ekipin në grumbullim, me klimën që ishte shumë pozitive.

PRISHTINË - Pasi mposhtën 3-4 Sllovakinë katër ditë më parë, përfaqësuesja e futbollit të Kosovës do luajë nesër në orën 20:45 në 'Fadil Vokrri' të Prishtinës kundër Turqisë. Sfida vlen për finalen play-off të Kupës së Botës dhe në rast se Kosova fiton ndeshjen teke, atëherë 'Dardanët' do shkonin për herë të parë në histori në finalet e një Kupe Bote që këtë vit do të zhvillohen nga 11 qershori deri më 19 korrik në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
Në konferencën për mediet, kapiteni i Kosovës, Vedat Muriqi tha se ka besim se ekipi i tij do ia dalë të gëzojë shqiptarët, duke thënë se kjo do ishte arritja më e madhe pas Pavarësisë.
“Kam kënaqësinë që jam kapiten në këtë sfidë të rëndësishme, pra jemi në finale. Jam i qetë, kemi atmosferë jashtëzakonisht të shkëlqyer në kombëtare dhe shpresojmë shumë në sukses.
Turqia? Për kualitetin e Turqisë nuk flitet, duhet të bëjmë një lojë ekipore për të qenë më mirë se Turqia.
Goli? Gjithmonë kam thënë se nuk më intereson të shënoj gola, përderisa fiton ekipi. Jemi duke folur për shtetin, jemi në finale kështu që s’më intereson aspak kush shënon gola.
Pas Pavarësisë mund të jetë lumturia më e mirë e shtetit tonë. Nuk dua t’i bëj presion bashkëlojtarëve apo vetës, por besoj te fitorja e pastaj të festojmë në shesh", tha sulmuesi i Mallorcas për mediet.
Komente









