Kosova në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe krijimit të institucioneve

PRISHTINË, 20 Gusht /ATSH-Behlul Jashari/.-Në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës do të mbahet nesër paradite seanca dëgjimore publike, në të cilën do të shqyrtohet kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të 17 korrikut të votuar nga 83 deputetë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Republikës.
Në këtë seancë publike janë ftuar për të marrë pjesë parashtruesi i kërkesës, si dhe përfaqësuesit zyrtarë të 14 subjekteve të tjera politike në Kuvendin e Kosovës.
Në përballjen në Gjykatën Kushtetuese, PDK-në, e cila fitoi zgjedhjet në koalicion parazgjedhor me katër parti të vogla, do ta përfaqësojë deputeti Arsim Bajrami, profesor i së Drejtës Kushtetuese; koalicionin paszgjedhor LDK-AAK-Nisma, Vjosa Osmani, deputetja më e votuar, e 6-ta me vota në listën e 120 deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Edhe subjektet e tjera që kanë fitur mandate në Kuvend pritet të kenë përfaqësim, mes të cilave Lëvizja Vetëvendosje me deputeten Albulena Haxhiu.
Në 18 korrik, Partia Demokratike e Kosovës i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese në lidhje me zhvillimet një ditë më parë në seancën konstituive të Kuvendit të Republikës."Partia Demokratike e Kosovës, duke i konsideruar si krejtësisht të kundërligjshme dhe të pavlefshme vendimet e marra nga uzurpatorët e seancës konstituive, shpreh qëndrimin e saj se nuk i njeh këto vendime që dolën nga një proces antiligjor, antidemokratik dhe antikushtetues", është theksuar në një deklaratë pas seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, ku për kryetar ishte zgjedhur lideri i LDK-së, Isa Mustafa.
Në 23 korrik, Gjykata Kushtetuese ka pezulluar vendimin e Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e Isa Mustafës në postin e Kryetarit të Parlamentit, deri në vendimin e këtij institucioni për kërkesën e deputetëve të PDK-së.
Po në 23 korrik u njoftua zyrtarisht se Mustafa ka pezulluar të gjitha aktivitetet në cilësi të kryeparlamentarit, pasi ka pranuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit, aplikohet masa e përkohshme - pezullohet vendimi për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës në seancën konstituive të 17 korrikut dhe kërkohet që Kuvendi të përmbahet nga çdo veprim deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës.
Në 29 korrik, në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës janë dorëzuar "komentet e përbashkëta të 67 deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës ndaj kërkesës KO.119/14 të deputetëve të Legjislaturës V të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), të përfaqësuar nga Xhavit Haliti".
Komentet i përmbyll "konkludimi dhe kërkesa", ku kërkohet nga Gjykata që:
I. Të aprovojë Kërkesën e Parashtruesve të Komenteve për Seancë dëgjimore;
II. Të refuzojë Kërkesën e Deputetëve të Legjistlaturës V të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), të përfaqësuar nga Xhavit Haliti, si të papranueshme; ose në alternativë
III. Të hedhë poshtë Kërkesën e Deputetëve të Legjistlaturës V të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), të përfaqësuar nga Xhavit Haliti, si të pabazuar".
Kërkesa për seancë dëgjimore e koalicionit LDK-AAK-Nisma dhe aprovimi i saj nga Gjykata Kushtetuese, e cila pritet të marrë vendim pas seancës së nesërme, besohet para shtatorit, e ka shtyrë edhe më tej procesin e konstituimit të institucioneve të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 8 qershorit.
Kosova, edhe rreth dy muaj e gjysmë pas zgjedhjeve, është ende në pritje të qeverisë së re, e cila nuk dihet kur do formohet, as nga kush, a do të jetë e koalicionit parazgjedhor apo e atij paszgjedhor, a do jetë e spektrit më të gjerë politik apo teknike, apo nuk do të bëhet fare dhe vendi do shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Në këto zhvillime, kur nuk dihet edhe a do të vlejnë vendimet e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës të 17 korrikut, në ngërçin politik e institucional të krijuar pritet të hapë rrugë Gjykata Kushtetuese me vendimin e saj, pas seancës dëgjimore të përballjes së koalicionit parazgjedhor dhe koalicionit paszgjedhor.
Koalicioni parazgjedhor i PDK-së me katër parti të vogla ka 37 deputetë. Koalicioni paszgjedhor, i deklaruar edhe si grup i përbashkët parlamentar, ka 47 deputetë: LDK 30, AAK 11 e Nisma 6. Lëvizja Vetëvendosje ka 16 deputetë.
Të gjitha këto subjekte parlamentare shqiptare së bashku kanë 100 deputetë të Kuvendit 120 anëtarësh, ndërsa të komuniteteve pakicë janë 20 deputetët e tjerë, 10 prej tyre serbë.
Për zgjedhjen e qeverisë së re duhen së paku 61 vota të deputetëve në Kuvendin e Kosovës. Asnjëri nga koalicionet nuk ka numrat në Kuvendin e Kosovës për ta bërë qeverinë, ndërsa mbështetja nga subjektet e tjera parlamentare është kushtëzuar dhe kushtet  ende nuk janë pranuar. Sipas deklaratave e zhvillimeve, as nuk paralajmërohet ndonjë marrëveshje.
Lëvizja Vetëvendosje ka deklaruar se nuk ka lëvizur dhe nuk lëviz nga qëndrimi i saj, i cili "është ai i dakorduar në draftmarrëveshjen e 16 korrikut, e cila nuk u nënshkrua nga koalicioni LDK-AAK-Nisma, të nesërmen, më 17 korrik", ditën e mbajtjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, ndërsa ka bërë të ditur se që nga ajo ditë nuk ka pasur takime me përfaqësues të koalicionit paszgjedhor.
Lista Serbe, e cila ka 9 nga 10 deputetët serbë në Kuvendin kosovar, ka ripërsëritur se nuk do të heqë dorë nga kushtet e saj për t'iu bashkuar qeverisë së ardhshme të Kosovës.
Seanca e nesërme dëgjimore publike në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës do të fillojë në orën 10:00. Dyert e Gjykatës për pranimin e qytetarëve dhe të mediave të interesuara do të hapen në orën 09:30./m.m/

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 27 Janar, 09:30

    A mendoni se vota e diasporës do të jetë përcaktuese në zgjedhje?



×

Lajmi i fundit

Vota e diasporës/ Fleta e votimit u shkon në 2 zarfe! Shifrat e regjistrimit, ‘miratohen’ për rreth 55 mijë emigrantë