Në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive Kosovë-Shqipëri kryeministri Edi Rama komentoi marrëveshjen që u arrit në Uashington mes Kosovës dhe Serbisë, konkretisht për mundësinë e lidhjes së infrastrukturës hekurudhore Beograd-Prishtinë me një port në detin Adriatik, ku më pas thumboi edhe Albin Kurtin i cili është shprehur më parë se nga kjo marrëveshje përfiton Serbia.

Vetëvendosja përmes një deklaratë për shtyp i ka kthyer përgjigje Ramës, duke e quajtur një doganier të Serbisë.

"Rama, doganieri i Serbisë. Edi Rama na tregoi sot se si Shqipëria do fitojë nga përdorimi i Portit të Durrësit prej Serbisë, dhe se si, sipas tij, këtë e di çdo ekonomist. Në fakt çdo ekonomist me dy pare mend e di që buxheti i shtetit dhe mirëqenia rriten kur rritet prodhimi e punësimi i një vendi.

Çdo ekonomist e ka të qartë se Serbia ka ekonominë më të fuqishme në Ballkanin Perëndimor, dhe se Shqipëria ka aktualisht një bilanc tregtar negativ me Serbinë. Çdo ekonomist e kupton se me hapjen totale të tregut shqiptar ndaj Serbisë ky bilanc negativ do përkeqësohet përmes vërshimit të mallrave serbe në tregun shqiptar, duke goditur sektorët e prodhimit dhe punësimin", thuhet më deklaratë.

Duke hedhur poshtë deklaratat se me shndërrimin të portit të Durrësit në një pikë doganore të përbashkë do përfitojnë të dyja vender, vetëvendosje shkruan se Rama sipas saj nuk foli sot si ekonomist por si doganier.

"Çdo ekonomist e di se Porti i Durrësit në funksion të Serbisë vetëm sa e lehtëson ekspansionin dhe dominimin ekonomik të Serbisë në Kosovë e Shqipëri. Çdo ekonomist e kupton se të ardhurat që do nxjerrë dogana e Portit të Durrësit nga mallrat e Serbisë do jenë kosto që do i faturohet në fund shqiptarëve që do u shkatërrohet potenciali prodhues e punësimi. Mirëpo Rama nuk foli sot si ekonomist por si doganier. Rama foli sot si doganier i Serbisë", përmbyllet në deklaratën e Vetëvendosjes.