Kosova prej një muaji në krizë energjetike, kompania për distribuim kërkon ndihmë: Kostot e importit po bëhen të papërballueshme

Kosova prej një muaji në krizë energjetike, kompania për distribuim kërkon ndihmë: Kostot e importit po bëhen të papërballueshme

Kriza energjetike prej më shumë se një muaj e ka prekur edhe Kosovën. Tregu energjetik europian pjesë e të cilit është edhe Kosova, po përballet me çmime pesëfish më të shtrenjta në raport me vitin e kaluar.

Kompania kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS) ka kërkuar ndihmë nga të gjithë për t’u përballur me krizën energjetike.

“Këto çmime marramendëse e që shkojnë mbi 300 euro për MWh po i paguajnë kompanitë KEDS dhe KESCO, pa përfshirë edhe çmimet për kapacitetet ndërkufitare e të cilat ndikojnë tutje në çmimin fundor të energjisë së importuar”, thuhet në komunikatën e kompanisë.

Por, mundësitë financiare, KEDS-i thotë se janë shterur deri në fund si pasojë e përballjes me çmime të larta.

“Në këtë situatë të rëndë energjetike, KEDS dhe KESCO, ashtu sikurse edhe kompanitë e sektorit të energjisë së shteteve evropiane, kërkojnë ndihmën e të gjithë aktorëve të sektorit energjetik dhe institucioneve relevante, në mënyrë që këtë rrugë të rënduar mos ta bëjnë të vetme dhe që kjo situatë të afektojë sa më pak që është e mundur konsumatorët në këtë kohë, por edhe në të ardhmen”, thuhet në komunikatën e KEDS-i.

Kompania thotë se e kanë pasqyruar situatën e rënduar në të cilën gjendemi në Task Forcën e krijuar nga Ministria e Ekonomisë, e po ashtu duke bashkëpunuar dhe raportuar direkt edhe në institucionet më të larta shtetërore. Ata thonë se janë të gatshëm të bashkëpunojnë me të gjithë palët që kjo situatë të tejkalohet sa më lehtë për të gjithë.

“Tani kur po hyjmë në sezonin e dimrit, ne jemi dëshmitar të një trendi të rritjes së konsumit, që kryesisht ndodh pasi pjesa më e madhe e qytetarëve të vendit po ngrohen me energji elektrike. Megjithëse kapacitetet prodhuese në vend kanë shënuar rritje viteve të fundit, kjo rritje nuk është lineare me rritjen e kërkesës për konsumin e energjisë elektrike, dhe respektivisht kjo diferencë e madhe sidomos gjatë kohës së pikut, duhet të mbulohet përmes importit”.

Duke theksuar se kostot e importit të energjisë elektrike po bëhen të papërballueshme, KEDS thekson se janë të hapur për të bashkëpunuar në gjetjen e një zgjidhjeje.

“Varshmëria ndaj importit na ekspozon ndaj lëvizjes së  çmimeve të importit në tregjet ndërkombëtare, e çmimet në tregjet ndërkombëtare aktualisht janë të papërballueshme. Kostot e importit si të tilla nuk janë paraparë gjatë shqyrtimit të fundit tarifor, prandaj, nevoja për mbështetje financiare për sektorin e energjisë është e domosdoshme dhe imediate. Kriza më së lehti tejkalohet me bashkimin e forcave, dhe ne si kompani jemi të hapur për bashkëpunim dhe në gjetjen e një zgjidhje sa më të mirë për të gjithë”.

Ditë më parë KEDS ka treguar se Kriza energjetike globale ka ndikuar dukshëm në rritjen e çmimeve të importit të energjisë në Kosovë. Dallimi është tejet i madh, marrë parasysh që vitin e kaluar megavati është blerë 49 euro, kurse këtë vit 242 euro.

Sipas KEDS-it, gjatë muajit tetor një megavat është importuar në vlerën prej 242 euro, ku një vit më herët kjo vlerë ishte pesë herë më i lirë.

“Kriza energjetike botërore ka ndikuar dukshëm në rritjen e çmimeve të importit të energjisë. Dallimi është tejet i madh, marrë parasysh që vitin e kaluar megavati është blerë 49 euro, kurse këtë vit 242 euro”, njofton KEDS.

Këtë rritje të çmimit e ka konfirmuar edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

“Çmimet e energjisë elektrike të importit janë rritur pesëfish, në krahasim me vitin e kaluar dhe një vit normal. Rrjedhimisht është një gjendje e jashtëzakonshme, në të cilën secili prej nesh duhet të bëjë gjithçka që është e mundur brenda kapaciteteve të tij, në mënyrë që kjo krizë ta prek Kosovën”.

Ajo ka kërkuar nga qytetarët që të kursejnë energjinë elektrike gjatë stinës së dimrit, duke shfrytëzuar alternativa tjera për ngrohje.

“Çmimet e importit janë rritur pesëfish. Është gjendje e jashtëzakonshme. Në mënyrë që kjo krizë sa më pak ta prekë Kosovën, qytetarët duhet që të kursejnë energji, që të shfrytëzojnë burime të tjera të ngrohjes. Moskursimi i energjisë do të thotë edhe rritje e importit dhe mund të ketë pengesa në fuqizim të rregullt, e mund të ketë edhe rritje të tarifave nga prilli i vitit të ardhshëm”.

Furnizimi me ngrohje për qytetarët e Kosovës mbetet sfidë e madhe, mbi 50% e qytetarëve nuk mund të sigurojnë ngrohje të mjaftueshme për shtëpitë e tyre. Sistemet e ngrohjes janë kryesisht vetjake dhe Kosova ka zhvillim tepër të vogël të ngrohjes qendrore. Për më tepër, burimet kryesore të energjisë të cilat qytetarët e Kosovës përdorin për ngrohje janë kryesisht energjia elektrike dhe prerja e drurëve./ Monitor

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

DOSJA/ 'Mami është mërzitur, nuk e keni falenderuar', fjalët e Megi Fetahut 'prekin' Suel Çelën: Për Pajtimen hidhemi të gjithë në zjarr

DOSJA/ 'Mami është mërzitur, nuk e keni falenderuar', fjalët e Megi Fetahut 'prekin' Suel Çelën: Për Pajtimen hidhemi të gjithë në zjarr