PRISHTINË, 27 Gusht /ATSH-B.Jashari/.- Dita Ndërkombëtare për Personat e Zhdukur, 30 gushti, në Kosovë do shënohet në qytetin e Drenasit, rajoni i Drenicës, për të nderuar personat nga kjo anë të identifikuar kohët e fundit nga varreza masive në Rudnicë-Serbi, si dhe të gjithë mëse 1700 të zhdukurit e lufës së para mëse 15 viteve ende të pagjetur.
"Motoja e këtij viti e Ditës Ndërkombëtare për Personat e Zhdukur është '...i kërkojmë të gjallë, nuk po i gjejmë as të vdekur...', me apelin për zbardhjen e fatit të tyre drejtuar të gjitha institucioneve të vendit dhe bashkësisë ndërkombëtare", tha sot kryesuesi i Komisionit Qeveritar të Kosovës për Persona të Zhdukur, Prenk Gjetaj.
"Sipas informacioneve tona, dhe kjo dëshmohet me gjetjet e fundit në Rudnicë, ende ka varreza masive ilegale në Serbi dhe ende janë rreth 1700 persona të cilët evidentohen si të zhdukur dhe dyshimet janë se institucionet serbe kanë njohuri për vendndodhjen e varrezave masive", shtoi Gjetaj.
Këshilli Organizativ bën të ditur se, akademia përkujtimore mbahet të shtunën e 30 gushtit, në mesditë, në Drenas. /gj.m/