Kosovë - Në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë po protestohet kundër vendimit  të Gjykatës Speciale kundër ish-krerëve të UÇK-së.

Protesta është thirrur nga platforma “Liria ka Emër”. Protesta e sotme ka karakter kombëtar ndërsa organizatorët thonë se ato nuk do të ndalen dhe do të vijojnë çdo ditë gjatë mbrëmjeve.

Përfaqësuesi i “Liria Ka Emër”, Ismail Tasholli, gjatë fjalës së tij tha se liria nuk ka parti politike.

"Jemi mbledhur sot me sebep të madh. Jemi mbledhur për ju. Jemi mbledhur për UÇK-në.  Jemi bë bashkë për të çuar mesazh të rëndësishëm. S’u bëmë bashkë për shkak të partive, jo për shkak të mitingjeve të caktuara, por për ju sepse varri i dëshmorit nuk ka parti politike dhe liria nuk ka parti politike.

Secili brez dha djersën. Themeli është i shumë gjeneratave. UÇK-ja është boshti kurrizor i saj. Nëse UÇK-ja sulmohet në mënyrën se qysh sot po na servohet si drejtësi kemi arsye të madhe që të themi se duam drejtësi të barabartë, të drejtë e ato vlera që BE-ja na ka mësuar gjatë gjithë kohës”, tha Tasholli.

Ai ka komentuar edhe vizitën e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në Kosovë

“Ne i themi që besojmë në vlerat e Evropës, por nuk besojmë në dystandardësi kur flitet për drejtësi. I themi: Jo në emrin tonë”, shtoi ai.

Lajm në përditësim…

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:57
Protesta kundër vendimit të Hagës, tensione në Prishtinë! Ndërhyn Hysni Gucati për të qetësuar situatën

Situata në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë u tensionua përkohësisht gjatë zhvillimit të protestës “Jo në emrin tim”, të organizuar kundër vendimit të Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Mes protestuesve ndërhyri përfaqësuesi i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, i cili u angazhua për të qetësuar situatën dhe për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve mes të pranishmëve.

Ora 16:50
Protesta në Prishtinë, nënkryetari i OVL apel ndërkombëtarëve: Hiqeni këtë njollë për ne dhe për ju

Gazmend Syla nënkryetari i OVL e UÇK-së, tha gjatë fjalës së tij në protestën që po mbahet në Prishtinë se dënimi i ish-krerëve është një njollë për Kosovën por edhe për ndërkombëtarët. 

“Ne jemi edhe anëtarë të ndërmarrjes së përbashkët kriminale nga 16 shtatori. Një Gjykatë që nuk e di çka ka ndodhur këtu në vitin 98-99, turpi i mbuloftë kudo që janë ata. Nga ky shesh ju themi (nërkombëtarëve) hiqeni këtë njollë prej jush edhe prej nesh. Hiqeni përmes Apelit. Si mund të jenë me të rëndësishme dëshmitë prej Serbisë se dëshmitë e zyrtarëve ndërkombëtarë”, tha Syla.

Ora 16:45
Jo në emrin tim', familjarët e Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit i bashkohen protestës në Prishtinë

Familjarët e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit janë bërë pjesë e protestës “Jo në emrin tim”, e cila po zhvillohet pasditen e kësaj të enjteje në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Në mesin e të pranishmëve janë parë familjarë të katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët janë dënuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Protesta, e organizuar nga platforma “Liria Ka Emër”, ka nisur në orën 16:00 dhe po mbahet nën moton “Jo në emrin tim”, në kundërshtim me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.