PRISHTINË, 7 Gusht /ATSH-B.Jashari/.- Rreth 200 zyrtarë  të agjencive të sigurisë publike iu nënshtruan sot provimit  pranues për vitin e parë akademik  2014/2015, në Fakultetin e Sigurisë Publike, i cili është në kuadër të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike.

Akademia e Kosovës për Siguri Publike dhe  Fakulteti i Sigurisë Publike, në vitin e parë të studimeve, për vitin akademik 2014/2015 do të regjistrojë 65 studentë, sipas kuotës së përcaktuar në drejtimet e programit të studimit bachelor në sigurinë publike, siç janë drejtimi policor, doganor, menaxhimi emergjent,  korrektuese dhe sprovues.

Në Fakultetin e Sigurisë Publike studimet bachelor për pjesëtaret e agjencive të sigurisë publike ofrohen falas dhe pa shkëputje nga puna. Të drejt aplikimi kanë pasur të gjithë zyrtarët që janë të punësuar në Policinë e Kosovës, Shërbimin Korrektues të Kosovës, Doganën e Kosovës, Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, Shërbimin Sprovues të Kosovës dhe Inspektoratin Policor të Kosovës. /ATSH/