/ATSH/.- Krimi i organizuar dhe terrorizmi po kërcënon Kosovën dhe të gjithë rajonin, prandaj lufta ndaj këtyre dukurive duhet të jetë urgjente dhe me një bashkëpunim rajonal, u theksua sot gjatë konferencës rajonale me temë "Sfidat në luftimin e krimit të organizuar, terrorizmit dhe bashkëpunimi në Evropën jug-lindore".

Në këtë konferencë ishin të pranishme Presidentja Atifete Jahjaga, Ambasadorja e SHBA-së në Kosovë, Ann Jacobson, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, etj.
Presidentja Jahjaga theksoi se "lufta kundër të këqijave duhet të jetë luftë e përbashkët dhe se çdo shtet po përballet me migrimin ilegal për shkak të mungesës së bashkëpunimit".
"I gjithë rajoni i Evropës Juglindore sot përballet me një numër sfidash në fushën e sigurisë dhe së fundmi çdo shtet po përballet me problemin e migrimit ilegal që i ka bashkuar rrjetet e grupeve kriminale dhe që po e sfidon edhe përgjigjen tonë profesionale ndaj tyre pikërisht për shkak të mungesës së koordinimit tonë në rrafshin e sigurisë", tha Jahjaga.
Ky, vijoi ajo, është vetëm njëri nga problemet e shumta me të cilat sot ballafaqohemi si rajon dhe që e bën bashkëpunimin ndërkombëtar jo çështje dëshire e vullneti, por një nevojë dhe domosdoshmëri urgjente e cila kërkon përgjigjen tonë dhe të vendeve tona, por edhe të institucioneve tuaja.

Ndërsa ambasadorja Jacobson tha se "krimi i organizuar nuk paraqet problem vetëm për Kosovën, por me këtë po përballen edhe vendet e tjetra të botës.
Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, deklaroi se krimi i organizuar dhe terrorizmi kërcënojnë vendin tonë dhe më gjerë.

Ai shtoi se "MPB ka punuar për parandalimin e krimit të organizuar dhe terrorizmit, por pavarësisht formave të ndërmarra, si rajon ballafaqohemi me këto fenomene"./KosovaPress/