Partitë e koalicionit paszgjedhor LDK-AAK-Nisma dhe Vetëvendosje nuk e shohin të arsyeshme të vazhdojnë mbajtjen e seancave debatuese, siç patën paralajmëruar në seancën e 9 tetorit.

Sipas KosovaPress, zyrtarët e Bllokut thonë se nga ajo seancë kanë dalë konkuzionet dhe tani duhet të zbatohen. Ndërkohë njohësit e çështjeve juridike shprehen se Flora Brovina duhet ta thërrasë seancën, edhe nëse ajo bojkotohet nga PDK-ja.

Para gati dy javësh partitë e Bllokut LDK-AAK-Nisma dhe Vetëvendosje u mblodhën në seancë për të debatuar për zgjidhjen e ngërçit politik e institucional. Në seancën që nuk ishte thirrur nga drejtuesja Flora Brovina, e ku mungoi PDK-ja dhe deputetët e komuniteteve pakicë, Vjosa Osmani në emër të partive të Bllokut shprehu zotimin se do të vazhdojnë të mbajnë seanca edhe pa ftesën e Brovinës.

Por, tani duket se partitë e Bllokut kanë ndryshuar mendim sa i përket vazhdimit të seancave të tilla. Deputetja e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi thotë se "nga seanca e 9 tetorit kanë dalë konkluzionet dhe tani ato duhet të zbatohen".

Ndërkohë, Radio Kosova ka provuar të kontaktojë me kryesuesen e seancës, Flora Brovina, lidhur me atë se kur do ta thërrasë seancën, por kontakti me të ka qenë i pamundur. Sidoqoftë, Brovina në vazhdimësi ka thënë se nuk do të thërrasë seancë pa një marrëveshje mes partive, që nënkupton përfshirjen edhe të PDK-së, të cilës Gjykata Kushtetuese ia ka njohur të drejtën e patransferueshme që ta propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit.

ATSH