PRISHTINË, 8 Maj /ATSH-B.Jashari/.- Kuvendi i Kosovës përfundoi sot pasdite punimet e ditës së tretë të seancës plenare të nisur të mërkurën me 32 pika në axhendë, e cila, me shumicë votash të deputetëve u vendos të vazhdojë të enjtjen e javës së ardhshme.
Një nga pikat e axhendës sot ishte debati parlamentar lidhur me gjendjen e arsimit në Luginën e Preshevës, që përfshinte edhe rekomandimet e propozuara.
Sipas rekomandimeve 6-pikëshe, qeveria e Republikës së Kosovës duhet të obligohet, që për shqiptarët në Luginën e Preshevës të bëjë furnizimin me tekste dhe harta shkollore për shkollat fillore dhe të mesme. Gjithashtu duhet të heqë kuotën për regjistrimin e studentëve nga Lugina e Preshevës në universitetet publike në Kosovë. "Në bisedimet në Bruksel me Republikën e Serbisë duhet të vendosë reciprocitet për çështjet e njëjta në raport me shqiptarët në Luginën e Preshevës dhe komunitetin serb në Kosovë. Duhet të kërkojë nga Republika e Serbisë njohjen e diplomave të lëshuara nga universitetet publike të Republikës së Kosovës; të mbështesë programet për rininë për Luginën e Preshevës dhe të bëjë funksionalizimin e maternitetit".
Gjatë debatit të zhvilluar në Kuvendin e Kosovës deputetët janë angazhuar për realizimin sa më të suksesshëm të së drejtës së shqiptarëve të Luginës së Preshevës, për shkollë, për punë, për dije e për jetë, që institucionet kosovare, sidomos qeveria, të ndërmarrin të gjithë hapat e nevojshëm për sendërtimin e të drejtave të shqiptarëve në atë rajon.
Në debatin në Kuvend, ministri i Arsimit, Shkencës e Teknologjisë në qeverinë e Kosovës, Arsim Bajrami, paralajmëroi një vizitë në Luginën e Preshevës këtë muaj dhe që secili nxënës atje, nga 1 shtatori, do të ketë pakon falas të teksteve e mjeteve mësimore të mësimdhënies moderne, me kurikulë evropiane.
"Për datën 25 maj kam caktuar  vizitën time zyrtare përmes zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, dhe unë do ta vizitojë Luginën e Preshevës, do të takojë drejtorët e shkollave, mësimdhënësit, nxënësit, por edhe kryetarët e komunave për t'i inkurajuar se ata nuk do kenë mungesën e kujdesit të Republikës së Kosovës sa i përket teksteve dhe ne jemi në përgatitje të plotë që para 1 shtatorit të furnizojmë secilën shkollë nga klasa e  parë deri në klasën e nëntë me tekste e mjete mësimore", tha Bajrami.
"Gjithësej në Luginën  e Preshevës kemi  15 shkolla fillore dhe 4 shkolla të mesme, përafërsisht 10 mijë nxënës dhe studentë", tha ministri kosovar i Arsimit, duke theksuar edhe mbështetje të tjera të qeverisë së Kosovës për arsimin shqip në atë rajon.
Debati parlamentar sipas  kërkesës së deputetit Nait Hasani, mbështetur edhe nga gjashtë deputetë të tjerë, u zhvillua pasi Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga ai, ka vizituar Luginën e Preshevës në muajin mars të këtij viti.
Lugina e Preshevës, të cilën e quajnë edhe Kosova Lindore, është një rajon i banuar me shumicë shqiptare, në jug të Serbisë.
Pas përfundimit të punimeve të seancës plenare në ditën e tretë,  në njoftimin zyrtar të sapodërguar bëhet e ditur se mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës me kryetarët e grupeve parlamentare do mbahet të martën,  për përgatitjet për seancën e ardhshme./m.m/