/ATSH-B.Jashari/.-Në kazermën "Skënderbeu" në Ferizaj u zhvillua sot ceremonia solemne e diplomimit të kadetëve të Qendrës së Studimeve Universitare (QSU) të Forcës së Sigurisë të Kosovës (FSK), brezi 2015.
Ministri i Ministrisë së FSK-së, Haki Demolli, e vlerësoi këtë ceremoni si një ditë të veçantë në jetën dhe karrierën e të diplomuarve, por edhe si një ngjarje të shënuar për FSK-së.
"Diplomimi dhe gradimi i 11 kadetëve të Qendrës së Studimeve Universitare të FSK-së, në gradën e nëntogerit, është një ditë tejet e rëndësishme dhe e shumëpritur, jo vetëm për kadetët e diplomuar, familjet e tyre, por edhe për Ministrinë dhe FSK-në në përgjithësi. Është ditë në të cilën po bëhet kurorëzimi i një pune të gjatë dhe tani pas 4 viteve angazhimi, sakrifice, këmbëngulësie, po e realizoni ëndrrën tuaj, duke u bërë solemnisht oficerë të karrierës në uniformën e FSK-së, që është uniformë e shenjtë dhe shumë e çmuar për popullatën e Republikës së Kosovës", u shpreh ministri Demolli.

Ministri Demolli vlerësoi shkollimin e kadetëve në Qendrën e Studimeve Universitare të FSK-së. "Doktrina e stërvitjes dhe shkollimi i kadetëve tanë, bazohet në tërësi mbi njohuritë dhe shkencën ushtarake, të ngjajshme me ato të ushtrive tjera bashkëkohore, duke zhvilluar njëkohësisht studime paralele edhe në institucione civile, konkretisht në Universitetin Amerikan të Kosovës", tha ai.

Ministri Demolli tha se Ministria ka bërë të gjitha përgatitjet për transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës (FAK).

Kadetët i ka përshëndetur dhe përgëzuar në gjuhën shqipe, komandanti i Gardës Kombëtare të Ajovës, gjenerali Thimoty Orr.

Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, në fjalën e tij, drejtuar kadetëve, tha se, "ju po bëheni pjesë e FSK-së, në një kohë shumë të rëndësishme për Kosovën".
Pas leximit të urdhrit për gradimin e 11 kadetëve në gradën e nëntogerit solemnisht iu dhanë certifikatat oficerëve të rinjë të FSK-së.

Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rama i dorëzoi nëntoger Shpend Hajdinit çmimin "Kadeti më i mirë i brezit 2015". Kadetët e sapo diplomuar dhanë betimin solemn para komandantit të Qendrës së Studimeve Universitare, kapiten Avni Kiqina.

Kadetët e FSK-së kanë kryer studimet në Qendrën për Studime Universitare dhe në Universitetin Amerikan të Kosovës. Ata sot u graduan dhe u janë caktuar detyrat, të cilat do t'i kryejnë në njësitë e Forcës së Sigurisë së Kosovës.