PRISHTINË, 29 Qershor /ATSH-B. Jashari/.-Fuqizohen marrëdhëniet Kosovë - Gjermani në fushën e drejtësisë. Ministri kosovar i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, po qëndron në një vizitë dyditore në Republikën Federale të Gjermanisë, ku nesër pritet të takohet me homologun e tij, Heiko Maas, ku do të nenshkruhet edhe protokollimi i marrëveshjes së bashkëpunimit juridik për çështje penale mes Republikës së Kosovës dhe Republikës Federale të Gjermanisë që është parafuar sot.
Kjo marrëveshje ndërshtetërore është e natyrës së veçantë, pasi përfshin rregullimin e pesë fushave: ndihmën e ndërsjellë juridike, ekstradimin, transferimin e personave të dënuar, luftën kundër terrorizmit dhe mbrojtjen e të dhënave personale.
Me këtë marrëveshje palët marrin përsipër ofrimin e ndihmës së ndërsjellë juridike në procedurat penale që janë duke u zhvilluar para organeve gjyqësore të vendeve nënshkruese të kësaj marrëveshje.
Në Berlin, ministri Kuçi është pritur sot nga Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Drejtësisë, Christian Lange dhe përfaqësuesin nga Ministria e Punëve të Jashtme, Gotz Schmindt - Bremme.
Ministri Kuçi dhe Sekretari Lange, gjatë këtij takimi kanë diskutuar për avancimin e mëtejshem të bashkëpunimit juridik mes dy shteteve, avancimin e Kosovës në fushën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar dhe anëtarësimin e Kosovës dhe qasjen e saj në mekanizmat ligjor ndërkombëtar.
"Anëtarësimi i Kosovës në nismat ndërkombëtare dhe rajonale për të koordinuar veprimet e prokurorive dhe gjykatave, me qëllim të luftimit të krimit, është në interes të të gjithë rajonit, ngase krimi nuk njeh kufij dhe kërkon trajtim të përbashkët. Prandaj, kërkesa e Kosovës që t´i bashkohet nismave ndërkombëtare si një anëtare e barabartë është në të mirën e të gjithë rajonit dhe jo vetëm Kosovës", u tha gjatë këtij takimi, sipas njoftimit të Ministrisë kosovare dërguar nga Berlini.
Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Drejtësisë, Christian Lange, përgëzoi Ministrin Kuçi për të arriturat e Kosovës në reformimin e sistemit të drejtësisë.
Sekretari Lange, po ashtu theksoi rëndësinë e forcimit të partneritetit strategjik me Kosovën, përmes konkludimit të marrëveshjeve, të cilat jo vetëm se do të lehtësojnë bashkëpunimin ndërinstitucional, por edhe do të kontribuojnë në lehtësimin e procedurave në çështjet që ndërlidhen me qytetarët.
Ministri Kuçi gjithashtu ka vizituar Parlamentin Gjerman, ku ka diskutuar me deputetë për arritjet dhe sfidat e Republikës së Kosovës në fushën e sundimit të ligjit. Ministri Kuçi, para deputetëve të Parlamentit Gjerman, ka shtjelluar prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, me ç'rast ka theksuar fuqizimin e sundimit të ligjit, zhvillimin ekonomik dhe integrimin evropian.
Ministri Kuçi është shprehur falënderues ndaj Republikës Federale të Gjermanisë për kontributin dhe qasjen e saj ndaj rajonit të Ballkanit dhe Republikës së Kosovës. Ministri Kuçi është shprehur i përkushtuar që marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve në të ardhmen të thellohen edhe më shumë.
"Republika e Kosovës e konsideron Gjermaninë si një shtet mik, shtytës kryesor në konsolidimin e mëtutjeshëm të Kosovës në rrafshin ndërkombëtar dhe në procesin e integrimit evropian", ka thënë Kuçi. /a.ke/