PRISHTINE, 2 Mars/ATSH/-. USAID në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe partnerë të tjerë, do të punojnë për krijimin e kuadrit ligjor, që qytetaret e Kosovës pa marrë parasysh gjininë e tyre të kenë të drejta të barabarta në trashëgimi. Kjo u bë e ditur gjatë një konferencë për media nga Drejtori i misionit të USAID-it, James Hope, ku u prezantua edhe programi për të drejtat pronësore ne Kosove.
Sipas agjencisë së lajmeve KosovaPress, ky program ka për qëllim forcimin dhe përmirësimin e proceseve gjyqësore që kanë të bëjnë me lëndët e të drejtave pronësore, gjithashtu ka për qëllim të sigurojë që gratë kanë kapacitetin e duhur që të ushtrojnë të drejtat e tyre pronësore. Hope, tha se e drejta për të pasur pronësi dhe për ta trashëguar atë është e drejtë themelore njerëzorë dhe sipas tij, po ashtu, është një hallkë e rëndësishme në zinxhirin e zhvillimit në vend.
Përmes këtij programi, theksoi Hope, do të përpiqemi të adresojë mungesat ligjore që ekzistojnë në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. "Të drejtat pronësore kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në kualitetin e jetës për qytetarët e një vendi. Ato i japin një ndjenjë të sigurisë ekonomike dhe ngjallin besim në procesin demokratik. Në fakt një sektor transparent dhe efektiv i të drejtave pronësore është gur themeli i sundimit të ligjit dhe mundëson krijimin e një ambienti afarist, i cili është i përshtatshëm për zhvillimin ekonomik për rritjen ekonomike, transparencën dhe investimet e huaja. Prandaj, për ta reflektuar rëndësinë e këtij sektori të të drejtave pronësore USAID ka nisur programin e të drejtave pronësore vitin e kaluar që ka për qëllim të punojë me Qeverinë e Kosovës në adresimin e atyre zbrazëtive që ekzistojnë në mbrojtjen e të drejtave pronësore", tha Hope.
Sipas tij, për t'i arritur këto objektiva, USAID-i punon me një numër partnerësh në nivel lokal dhe qendror, me sektorin e shoqërisë civile dhe me sektorin privat. Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuqi shprehu angazhimin e tij për të bashkëpunuar për përmirë]simin e kuadrit ligjor në k]ëtë drejtim.
"Ne duhet të bëjmë ndryshimet e nevojshme ligjore për të parandaluar femrat apo gjininë femërore që të heqin dorë nga e drejta trashëgimore që tani më është praktikë tek ne. Jam i bindur se do ta bëjmë ligjin dhe do ta implementojmë shumë shpejt. Kur femrat posedojnë pronë ato ndihen më të sigurta, po ashtu ato do të kenë mundësi të kenë edhe hipotekë e në këtë mënyrë do të kenë mundësi të marrin kredi dhe të zhvillojnë bizneset e tyre", tha Kuqi. Sipas tij, pjesëmarrja e gruas në jetën ekonomike në mënyrë të barabartë është një parakusht edhe për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit tonë dhe për barazinë e të gjithë qytetarëve të Kosovës.
Ky program i USAID-it për të drejtat pronësore është aktivitet katër vjeçar që synon të adresojë sfidat e ndërlidhura me të drejtën pronësore dhe të zhvillojë një plan për të stabilizuar regjimin e të drejtave pronësore në Kosovë. /a.gjonaj//a.ke/












