/ATSH/.- Pas Shkupit e Tiranës, sot edhe në Prishtinë është hapur panairi Ndërkombëtar i Turizmit "Vas Travel Fair 2015", ku po marrin pjesë njëzet e pesë kompani të ndryshme të turizmit. Aty u tha se turizmi ndikon në zhvillim ekonomik dhe në përmirësimin e imazhit të vendit.
Në hapjen e këtij panairi, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hikmete Bajrami, theksoi se evenimente të tilla kanë ndikim në zhvillimin e turizmit dhe në zhvillimin ekonomik në përgjithësi.
"Turizmi është një sektor i rëndësishëm në Kosovë, jo vetëm pse krijon vende pune në mënyrë shumë të shpejtë, por është një mundësi gjithashtu për përmirësimin e imazhit të shtetit tonë të ri, i cili është tepër më i mirë së ai që paraqitet në mediat ndërkombëtare", tha Bajrami.
Kosova, vijoi ajo,  e dimë të gjithë që ka potencial për zhvillimin e turizmit malor, alpinizmit, atij kulturor, bazuar në trashëgiminë historike kulturore, po ashtu ekzistojnë edhe potenciale për zhvillimin e turizmit rural, ekologjik dhe turizmit alternativ.
"Me përmirësimin e infrastrukturës rrugore, krijimin e linjave ajrore me shtetet e rajonit dhe më gjerë, po krijon mundësi për zhvillimin e turizmit ndërkufitar", nënvizoi Bajrami.
Duke u ndalur te zhvillimi i Qendrës Turistike në Brezovicë, ministrja Bajrami tha se "implementimi i suksesshëm i këtij projekti do të sjellë fuqishëm kthimin e brenditë të Brezovicës dhe do të ndikojë në zhvillimin e turizmit në përgjithësi në Kosovë ".
Safet Gerxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, u shpreh se turizmi ndërton ura, por sot këto ura kanë një rëndësi shumë më të madhe se sa ajo ekonomike.
Ndërsa përfaqësuesi i Vas Grup, Islam Qinaku, tha se ky është fillimi i organizimit të panaireve të tilla. /Kosovapress/