PRISHTINE, 14 nentor/ATSH/. - Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, mëngjesin e të premtes vendosi t'i drejtohet opinionit përmes rrjetit social Facebook, duke dhënë sinjalin e parë, nga vet ai, për ndryshime të mundshme të marrëveshjes së 10 qershorit me Bllokun, ben te ditur KosovaPress.
I pari i lidhjes së demokratëve, Mustafa, thotë në një farë forme se hesapet me marrëveshjen e Bllokut me realitetin e ri të krijuar tashmë kanë ndryshuar dhe kështu rendi për të parin e qeverisë i takon partisë së tij.Ky është shënimi i plotë i tij në Facebook:
Situata në Kosovë lidhur me konstituimin e institucioneve pas zgjedhjeve të përgjithshme është larg më e rëndësishme sesa thjeshtësimi i saj se kush do të jetë në krye të institucioneve. Partitë politike i kanë liderët e tyre, por zgjedhjet neve në LDK nuk i kemi bërë që të më akomodojnë mua si lider, ashtu siç po i dëgjoj disa komente.
Zgjedhjet janë bërë që të bëjmë ndryshime pozitive për qeverisje të vendit. Ne do të angazhohemi maksimalisht që me marrëveshje të koalicionit paszgjedhor të bëjmë zgjidhje të pranueshme për subjektet që ne i përfaqësojmë dhe në interes të partive të koalicionit dhe të qytetarëve, pasi vendimi i Gjykatës Kushtetuese e bëri të pamundur implementimin e marrëveshjes sonë të dt. 10 qershor 2014.
Ne i kemi qëndrimet e subjekteve tona, të cilat i kemi diskutuar bashkërisht dhe do t'i diskutojmë brenda koalicionit paszgjedhor dhe do të vendosim në harmoni me vullnetin tonë dhe të anëtarësisë të cilën e përfaqësojmë por edhe të kritereve të cilat na u kanë pasqyruar si mundësi për ta marrë mandatin. /a.ke/