Kosovë, KQZ pritet të nisë verifikimin e listave të nënshkruesve të peticionit për largimin e kryetarëve në veri

Kosovë, KQZ pritet të nisë verifikimin e listave të nënshkruesve të peticionit për largimin e kryetarëve në veri

Mitrovica e Veriut

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë pritet të verifikojë listat e nënshkruesve të peticionit për largimin e kryetarëve aktual të katër komunave veriore të banuara me shumicë serbe.

Grupet nismëtare të peticionit nga këto komuna ua dorëzuan nënshkrimet kryetarëve të kuvendeve komunale që janë bartës të këtij procesi.

Sipas udhëzimit administrativ për të larguar një udhëheqës komunal, peticionin duhej ta nënshkruanin 20 për qind e qytetarëve me të drejtë vote, për t’i hapur rrugë pastaj organizimit të një procesi të votimit për shkarkimin e tij.

Kryetari i kuvendit komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhat Uglanin, tha se grupi nismëtar i peticionit për këtë komunë ka dorëzuar nënshkrimet të hënën dhe se ato do t’i përcillen Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për verifikim brenda afatit prej tri ditësh.

“Gjithçka ka shkuar në mënyrën më të mirë . Janë mbledhur katër mijë e 148 nënshkrime, që do të thotë një numër më i madh sesa 20 për qind. Menjëherë pas kësaj kemi njoftuar Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve se kemi pranuar peticionin nga grupi nismëtar dhe siç dihet kemi afat ligjor prej tre ditësh për dorëzimin e peticionit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, detyrim që do ta përmbush unë si bartës i procesit”, tha zoti Uglanin.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, i tha Zërit të Amerikës në një përgjigje me shkrim se ky komision tashmë ka pranuar listën e nënshkrimeve nga komuna e Zubin Potokut dhe se është në pritje për listat nga tri komunat tjera.

“Në përputhje me legjislacionin në fuqi, do të verifikohet lista e nënshkrimeve, pra nëse nënshkruesit janë qytetarë me të drejtë vote në komunën përkatëse”, tha ai.

Shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog përgëzoi të martën Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për përgjigjen e shpejtë ndaj kërkesave të grupeve nismëtare për shkarkimin e udhëheqësve të Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveçanit. Ai i bëri këto komente në një postim në rrjetet sociale pas takimit me kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, Kreshnik Radoniqi, me të cilin siç tha diskutuan mbi procesin e tërheqjes së kryetarëve të komunave veriore dhe përgatitjet e brendshme për hapat e ardhshëm të këtij procesi.

Organizimi i zgjedhjeve në katër komunat veriore është një nga tri kërkesat kryesore që diplomacia perëndimore i ka bërë Kosovës në funksion të uljes së tensioneve që shpërthyen pasi kryetarët shqiptarë që dolën nga zgjedhjet e 23 prillit të vitit të kaluar të bojkotuara nga serbët, u dërguan në zyrat e komunave veriore me mbështetjen e policisë.

Për të larguar përfundimisht kryetarin e komunës përmes peticionit duhet të votojnë 50 për qind plus një e votuesve me të drejtë vote, ndërkaq në rast të dështimit, nuk mund të organizohet një peticion tjetër përpara se të kenë kaluar 12 muaj. /Voa

B.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

​Rusia i pezullon gazin, reagon Moldavia: Putin po e përdor energjinë si armë

​Rusia i pezullon gazin, reagon Moldavia: Putin po e përdor energjinë si armë