Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk e ka certifikuar Listën Serbe – partinë më të madhe të serbëve në Kosovë – për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Përfaqësues të partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, kanë dalë kundër certifikimit të kësaj partie - e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar - duke përmendur që kjo parti nuk e njeh shtetin e Kosovës.
Për certifikimin e kësaj partie ka votuar vetëm kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, kundër kanë dalë dy anëtarët e LVV-së, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, ndërsa tjerët kanë abstenuar.
Arianit Elshani nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) parti në opozitë, ka abstenuar në votim, me arsyetimin se Zyra për Regjistrimin e Partive Politike, ka vlerësuar që Lista Serbe i plotëson të gjitha kriteret për certifikim, por që ndan shqetësimet e përmendura nga anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje.
Anëtarët e tjerë në mbledhjen e KQZ-së kanë thënë se Lista Serbe ka të drejtë të ankohet ndaj një vendimi të tillë, pasi Zyra për Regjistrimin tashmë ka konfirmuar se kjo listë i plotëson të gjitha kriteret.
Zyra për Regjistrimin e Partive Politike është organ që vlerëson nëse një parti plotëson kriteret për pjesëmarrje në zgjedhje dhe ia dërgon rekomandimet panelit të KQZ-së.
Lista Serbe pati thënë se do të marrë pjesë në zgjedhje pas një periudhe të bojkotimit të proceseve politike në Kosovë.
Më 2022, pjesëtarë të kësaj partie patën dhënë dorëheqje në mënyrë kolektive nga institucionet e Kosovës, si shenjë kundërshtimi ndaj vendimeve të autoriteteve të Kosovës për shtrirje të autoritetit në gjithë territorin e vendit.
“Përfaqësues të kësaj Liste, mbajnë kontakte të vazhdueshme, shihen edhe nëpër fotografi, edhe në televizion me pushtetin e [presidentit serb, Aleksandar] Vuçiqit, por ku shihet edhe Radoiçiqi”, ka thënë Kurteshi, në arsyetimin e tij pse nuk duhet të certifikohet kjo parti.
Millan Radoiçiq ka qenë nënkryetar i Listës Serbe, deri në ditën kur e ka pranuar se e ka kryer sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit, në shtator të vitit 2023.
Autoritetet e Kosovës e konsiderojnë këtë sulm si terrorist dhe e fajësojnë shtetin serb për organizim dhe kryerjen e tij, por Beogradi hedh poshtë këto akuza.
Kurteshi e ka përmendur që një tjetër arsye për moscertifikim të Listës Serbe është që ajo parti nuk e ka dënuar asnjëherë sulmin në Banjskë, dhe që nuk është distancuar asnjëherë nga "aktet terroriste që kanë ndodhur në Kosovë".
Kosova kërkon ekstradimin e Radoiçiqit në Kosovë, ndërsa ai besohet se është i lirë në Serbi.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka pretenduar të hënën se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po tenton “të eliminojë kundërshtarin e vetëm” në Kosovë, Listën Serbe.
“Kurti, me ndihmën e aleatëve të tij, synon të dëbojë popullin serb nga krahinat e jugut”, ka thënë Vuçiq përmes një postimi në llogarinë e tij në Instagram, pa ofruar më shumë hollësi.
KQZ: 27 subjekte politike të certifikuara për 9 shkurt
Përgjatë takimit të së hënës, KQZ-ja e ka certifikuar grupin e dytë të partive politike – 16 sosh me 626 kandidatë për deputetë.
Më 18 dhjetor është certifikuar grupi i parë – 11 subjekte politike me 606 kandidatë për deputetë.
Në total, në zgjedhjet e 9 shkurtit do të garojnë 27 parti politike.
Prej tyre, 19 janë parti politike, pesë koalicione, dy nisma qytetare dhe një kandidat i pavarur.
Numri i kandidatëve për deputetë ka shkuar në 1.232.
Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit përbëjnë procesin e parë të rregullt zgjedhor në Kosovë, pas shpalljes së pavarësisë më 2008.
Deri më tani janë mbajtur një mori zgjedhjesh të parakohshme./ REL