Kosovë – Kryetarët e partive të LDK, VV, AAK e Nisma-s pa marrëveshje të re

PRISHTINË- Pa marrëveshje të re ka përfunduar takimi i mbrëmshëm i kryetarëve të partive të koalicionit paszgjedhor të 10 qershorit, LDK-AAK-Nisma dhe subjektit të marrëveshjes së parimeve të 10 shtatorit, VV-së. Ata do vazhdojnë takimet fillimjavën e ardhshme, për zgjidhjen e ngërçit politik në Kosovë që po vazhdon në muajin e gjashtë të pas zgjedhjeve të vlerësuara ndërkombëtarisht një hap përpara në konsolidimin e demokracisë.
Takimet po zhvillohen në situatën e re të pas heqjes dorë të koalicinit paszgjedhor nga posti i kryeparlamentarit, që e synonte edhe pas aktgjykimit të Kushtetueses sipas të cilit propozimin për këtë post mund ta bëjë vetëm koalicioni fitues i PDK-së në zgjedhjet e 8 qershorit.
Me marrëveshjen e 10 qershorit të koalicionit paszgjedhor, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ishte dhe vazhdon të jetë i nominuar për kryeministër, ndërsa lideri i LDK-së, Isa Mustafa u propozua dhe u votua kryetar Kuvendi në ditën e nisjes e ndërprerjes së seancës konstituive në 17 korrik, por kjo zgjedhje u anulua nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.
Pas këtyre zhvillimeve, nga LDK-ja e mbetur pa postin e kryeparlamentarit është paralajmëruar dhe shprehur synimi për të marrë postin e kryeministrit me ridizajnim të marrëveshjes së 10 qershorit. "LDK-ja, si prijëse e koalicionit të shumicës parlamentare, është e përcaktuar të punojë intensivisht për themelimin e qeverisë së re të vendit, të udhëhequr nga LDK-ja", thuhej në një komunikatë të partisë më të madhe të koalicionit paszgjedhor, të bërë mbrëmjen e 7 nëntorit.
Pas takimit të mbrëmshëm në selinë e AAK-së për mediat ka folur vetëm lideri i kësaj patie, Haradinaj duke bërë të ditur se ishte diskutuar edhe për situatën e re të heqjes dorë të koalicionit paszgjedhor nga posti i kryeparlamentarit që me marrëveshjen e 10 qershorit i takonte LDK-së.
Bazuar në marrëveshjen e 10 qershorit LDK-AAK-Nisma dhe "Marrëveshjen mbi Parimet ndërmejt koalicionit LDK-AAK-Nisma dhe Lëvijes Vetëvendosje" të 10 shtatorit, ku përfshihet edhe pjesëmarrja në qeveri dhe programi qeverisës, do të zhvillohen diskutimet edhe në takimet e ardhëshme të liderëve. "Kjo 'Marrëveshje mbi Parimet' do jetë pjesë e programit qeverisës", është pika përfundimtare e dokumentit të nënshkruar nga katër liderët, në të cilin për VV-në është theksuar edhe "përfaqësimi dhe pjesëmarrja në institucione sipas fuqisë politike".
Sipas rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 8 qershorit, të shpallura e të çertifikuara nga KQZ, koalicioni i PDK-së ka 30,38 % të votave - 37 deputetë , ndërsa LDK 25,24 % - 30 deputetë, Lëvizja Vetëvendosje 13,59 % - 16 deputetë, AAK 9,54% - 11 deputetë, Nisma për Kosovën 5,15% - 6 deputetë.
Nga subjektet e komuniteteve pakicë, Lista Srpska (Srpska Lista) ka 5,22% të votave - 9 deputetë, Partia Demokratike Turke e Kosovës (Kosova Demokratik Türk Partisi) 1,02% - 2 deputetë, Koalicioni Vakat i komunitetit boshnjak (Koalicija Vakat) 0,89% - 2 deputetë./ATSH/

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS