/ATSH-B.Jashari/.-Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndërmarrjet publike, i cili do të ruajë ndërmarrjen Trepça nga likuidimi, është në axhendën e seancës së sotme plenare të Kuvendit të Kosovës.

Në një konferencë për shtyp dje në Beograd, ku kanë shkuar edhe përfaqësues të Lista Srpska në qeverinë e Kosovës, qeveria e Serbisë ka përsëritur pretendimet për pronësi në Trepçë dhe ka kundërshtuar Projektligjin që do shqyrtohet sot në Kuvendin kosovar, në Prishtinë.

Lidhur me këto pretendime, eksperti i ekonomisë e kryetar i Komisionit për Zhvillim Ekonomik në Kuvendin e Kosovës, Muhamet Mustafa, tha se as me kushtetutën e kohës së federatës jugosllave, ku Kosova ishte element konstituiv me të drejtë vetoje, Serbia nuk ka pasur asnjë ingerencë as kompetencë lidhur me Trepçën, as pronën e Kosovës.
"Pastaj, pas bisedimeve të Vjenës në planin gjithëpërfshirës të Ahtisaarit, të pranuar nga gjithë faktorët relevantë ndërkombëtarë është përcaktuar qartë se 'e gjithë prona brenda kufijve të Kosovës i takon popullit të Kosovës' që është baza themelore e pavarësisë së njohur nga 108 vende dhe kjo është e përcaktuar qartë në Kushtetutën e Kosovës", ka deklaruar eksperti i ekonomisë e deputeti Mustafa për median.

"Projektligji që tanimë është në procedurë në Kuvend duhet ta nxjerrë Trepçën nga rreziku i procesit të falimentimit dhe ta futë atë në binarë të konsolidimit, si një organizatë unike që u takon vetëm qytetarëve të Kosovës, pa dallim etnie dhe pa asnjë diskriminim, që e kemi provuar nga Qeveria serbe", ka thënë më tej deputeti Mustafa.
"Kurse për kërkesat reale e legjitime të kreditorëve, Kosova ka legjislacionin më të avancuar në rajon dhe ato do të adresohen me standarde ndërkombëtare", ka thënë kryetari i Komisionit parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Mustafa.

Në mbledhjen e së premtes të Komisionit për Zhvillim Ekonomik të Kuvendit të Kosovës, pas shqyrtimit në parim, deputetët anëtarë të komisionit u deklaruan në favor të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndërmarrjet publike, por jo edhe deputeti nga komuniteti serb Sasha Milosavlevic.

Po të premten në konferencë shtypi kreu i qeverisë kosovare, Isa Mustafa, theksoi se Trepça është pronë e cila i ka takuar dhe i takon Kosovës, në territorin e së cilës është dhe pasuritë e saj do jenë në interes të gjithë qytetarëve, edhe të shqiptarëve, edhe të serbëve, edhe të gjitha komuniteteve të vendit. "Vendime për Trepçën mund të marr vetëm Qeveria dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës", nënvizoi kryeministri kosovar, duke shtuar edhe se kërksat kreditore e të tjera janë të rregulluara me ligj.

Trepça, me minera plumbi, zingu, argjendi e ari, ka pasur mëse 22 mijë punëtorë deri në vitin 1990, kur administrata e dhunshme e instaluar nga Beogradi dëboi shqiptarët nga puna. Përfundimi i luftës para më shumë se 15 viteve Trepçën e gjeti me shkatërrime të mëdha nga shfrytëzimi kolonial.