Prishtine, 7 Dhjetor /ATSH-Behlul Jashari/.-Shtatë muaj u bënë sot kur Kosova mbeti pa Kuvend funksional, ndërsa nesër bëhen gjashtë muaj nga zgjedhjet parlamentare të 8 qershorit, mbajtur vetëm një muaj pas  7 majit kur  në një seancë të jashtëzakonshme, deputetët me 90 vota pro, 4 kundër dhe 3 apstenime, vendosën vetëshpërndarjen e Legjislaturës së Katërt, "që vendi të shkojë në zgjedhjet e parakohshme, të cilat do të mbahen sipas standardeve ndërkombëtare".
Ende nuk ka datë zyrtare se kur do thirret  seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës e nisur dhe e ndërprerë në 17 korrik, e rindëprerë në 18 shtator dhe e shtyrë në 2 tetor, gjatë zhvillimeve kur koalicioni parazgjedhor nuk kishte numrin e mjaftueshëm të votave për të zgjedhur kryeparlamentarin, ndërsa koalicioni paszgjedhor nuk kishte të drejtën për të propozuar kandidatin, sipas aktgjykimit të Kushtetueses.
Në këtë situatë të "ngrirjes" politike, në mbrëmjen e 19 nëntorit, dy partitë më të mëdha kosovare, PDK dhe LDK arritën pajtimin në parim për ndërtimin e koalicionit ndërpartiak që hapi mundësitë për krijimin e institucioneve të vonuara shumë, por deri në këtë paradite të së dielës nuk është  njoftuar zyrtarisht finalizimi e nënshkrimi i marrëveshjes përfundimatre, në një takim të pritur të liderëve.
"Kryetarët e partive janë në kontakt direkt dhe i koordinojnë takimet vet", ka deklaruar gjatë ditës së djeshme për median nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi.
Bëhej e ditur se është kthyer nga Nju Jorku kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, udhëtimi i të cilit si kryeministër për në mbledhjen e KS të OKB-së shtyri nënshkrimin e marrëveshjes përfundimtare me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, të paralajmëruar për të martën e kësaj jave, ndërkohë që ende ajo nuk ishte e finalizuar në ndarjen e pushtetit, dhe veçmas për atë se kush do jetë kryeministri i ardhëshëm.
"Kryeministri sot është kthyer, e takon z. Mustafa dhe e definojnë marrëveshjen", është poashtu deklaratë e ditës së djeshme e nënkryetarit të PDK-së, Kuçit.
"Marrëveshja enigmë!", është një nga kryetitujt e shtypit të sotëm kosovar lidhur me zhvillimet e orëve të fundit, ku theksohet se, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës as të shtunën nuk kanë arritur ta nënshkruajnë marrëveshjen për bashkëqeverisje në mandatin e ardhshëm katërvjeçar.
Megjithatë, gazeta "Tribuna" më tej shkruan se, "ka mësuar se gjatë një takimi që është mbajtur të shtunën mes kryetarit të PDK-së Hashim Thaçi dhe atij të LDK-së, Isa Mustafa" ata "janë pajtuar edhe për ndarjen e dikastereve ministrore" dhe se "në bazë të kësaj marrëveshjeje PDK do t'i qeverisë tetë ministri, LDK shtatë ministri, ndërsa katër ministri do t'i takojnë minoriteteve".
"Por, enigmë vazhdon të mbetet se kush do ta udhëheqë qeverinë dhe cila parti do ta ketë kryeministrin e ardhshëm. Në këtë pikë edhe gjatë ditës së shtunë ka pasur deklarata të ndryshme nga drejtues të PDK-së e LDK-së", shkruan gazeta.
Ndërsa, gazeta "Kosova Sot" me kryetitullin "Thaçi e Mustafa koordinohen për ndarjen e përgjegjësive" thekson se "marrëveshja e koalicionit PDK-LDK është afër finalizimit", ndërsa paralajmëron se "sot ndahen resorëtdhe jepen emrat e ministrave".
"Nënkryetari i LDK-së, Naser Osmani, tha se është e sigurtë se marrëveshja do të kryhet të dielën, në mënyrë që të hënën në ora 14:00 të mbahet seanca, ku do të formohet Kuvendi dhe Qeveria", shkruan gazeta.
Edhe pse kryesuesja, deputetja më e vjetër Flora Brovina, nuk ka thirrur ende zyrtarisht seancën, dita për rivazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit u "caktua" nga media menjëherë  pasi liderët e PDK-së e LDK-së, në takimin te Presidentja e Republikës në 25 nëntor paralajmëronin se "subjektet e tyre politike dhe grupet e punës për harmonizimin e koalicionit bashkëqeverisës do të jenë të gatshme të ftojnë seancën e Kuvendit të Kosovës për t'i zgjedhur organet e këtij institucioni dhe votuar Qeverinë dhe programin e saj qeveritar në 8 dhjetor 2014".
/f,n/