Lëvizja Vetëvendosje ka dërguar dekretin e Presidentit Hashim Thaçi në Gjykatën Kushtetuese.

Bëhet fjalë për dekretimin që ky i fundit i bëri nominimit të Avdullah Hotit të LDK-së për kryeministër të vendit.

Sipas Vetëvendosjes kjo përbën shkelje kushtetuese pasi presidenti nuk mund ta dekretojë një mandatar të dytë, meqë e drejta e propozimit të mandatarit për formimin e qeverisë i takon ekskluzivisht fituesit të zgjedhjeve.

Shefi i Grupit Parlamentar të VV-së Rexhep Selimi, e dorëzoi kërkesën për vlerësimin e kushtetueshmërisë të dekretit në fjalë në Gjykatën Kushtetuese.

“Jo rastësisht në këtë kohë kur po përfundon java e punës, kur dihet që nesër është festë dhe pastaj ditë vikendi, presidenti është kujdesur bashkë me bashkëpunëtorët e tij që qoftë Gjykatën Kushtetuese, qoftë administratën ta zë në pushim. Si pasojë e festës dhe vikendit ata po mundohen ta shfrytezojnë këtë situatë këto tre ditë pushimi duke e ditur që janë duke e shkelur Kushtetutën”.

Selimi pohoi se me këtë veprim janë duke dëshmuar se nuk do të ndalen së mbrojturi Kushtetutën dhe demokracinë.

Arbërie Nagavci, nënkryetare e Kuvendit, njoftoi se veç kërkesës për vlerësim të kushtetueshmërisë, Vetëvendosje ka paraqitur edhe kërkesën e masës së ndalimit.

“Presidenti jashtë Kushtetutës e ka anashkaluar tërësisht nenin 82 duke u thirrur vetëm në nenin 95. Ajo çka është e rëndësishme të thuhet është se ne kemi bërë kërkesë për  vendosjen e masës së përkohshme, masës së ndalimit. Bëjmë thirrje për të gjithë ata që janë pjesë e procesit të mos marrin asnjë veprim përpara se Gjykata Kushtetuese të vendosë për masën ndaluese”.