PRISHTINË, 21 Nëntor/ATSH/.- Mbi 100 eksponate të familjes Jashari do të prezantohen në ekspozitën tematike "Qëndresa heroike e Familjes Jashari për liri" që do të cçlet në 28 Nëntor, në Muzeun Shtetëror të Kosovës.
Sipas KosovaPress, kjo u bë e ditur në një konferencë për shtyp të organizuar nga sektori i historisë në Muzeun e Kosovës, ku edhe u shpalosën detaje të tjera rreth organizimit të kësaj ekspozite.
Drejtori i Muzeut të Kosovës, Arsim Mehmeti, tha se "kjo ekspozitë do të hapet para publikut dhe do t'i dedikohet Qëndresës Heroike të Jasharëve në Prekaz për mëse një dekade".
"Qëllimi i kësaj ekspozite është që pikërisht më 28 nëntor në festat tona kombëtare, që koinçidojnë me ditëlindejn e heroit legjendar Adem Jashari dhe daljen në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Muzeu i Kosovës , pra sektori i historisë në aspektin muzeor me artefakte të familjes Jashari ka përgatitur ekspozitën historike 'Qëndresa Heroike e Jasharajve për Liri' -Rast unik në historinë botërore", theksoi Mehmeti.
Ai u shpreh se kjo ditë është ditë e rëndësishme për të gjithë si për familjet e dëshmorëve, OJQ-të vendore dhe ndërkombëtare, invalidët dhe veteranët e UÇK-së. Autori i ekspozitës, Sadik Kransiqi, tha se "festa e 28 nëntorit është festë e rëndësishme dhe se organizimi i kësaj ekspozite është që familja Jashari , daton që mbi 300 vjet në Prekazin e Poshtëm duke dhënë kontribute ndërkombëtare duke mos u përzier asnjëherë me pushtetin".
Më tej ai tregoi edhe historinë e familjes Jashari, duke theksuar se e gjithë familja e tyre kanë luftuar me sakrificë dhe me vetëdije të lartë kombëtare duke mos u ndalur deri në fund.
Ekspozita do të hapet më 28 nëntor në Muzeun e Kosovës dhe do të jetë e hapur deri në fund të këtij viti./k.s/












